Lajme
“Mjaft me konferenca” | Presidentja nuk e anulon Forumin, Ministrja e Drejtësisë anulon lansimin e këngës “Deri kur”
Demokracia
18:43 | 16 Prill 2024

Share:

Përkundër që u protestua nga para Presidencës dhe hotelit ku e para e shtetit po e mban Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, me porosinë ”Mjaft me konferenca, shpallni gjendjen emergjente tani”, presidentja Osmani nuk e ndali ritmin e zakonshëm të punës, shkruan Demokracia.com.

Duke u ndikuar nga presioni publik dhe ngutia për të ndërmarrë ndonjë veprim, presidentja Osmani e ka bërë një gabim të pafalshëm marrë parasysh ndjeshmërinë e rastit, pas vrasjes së sotme në Pejë, e cila shkaktoi konfuzion me ngatërrimin e ditës në shpalljen e zisë shtetërore, ku fillimisht nënshkroi një vendim ku figuronte dita e sotme si ditë e zisë, në vend të së mërkurës. Kjo qasje paraqet mungesë të theksuar të kujdesit dhe kontrollit të informacionit para publikimit nga ana e Zyrës së Presidentes.

Gafa e Presidencës

Ishin anëtaret e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist bashkë me aktivistë të tjerë të shoqërisë civile, që sot protestuan para Presidencës dhe Qeverisë, por edhe para vendit ku Osmani po e mbante forumin ndërkombëtar, por mungoi vendimi i saj për anulimin e aktiviteteve të planifikuara më herët.

Megjithatë, për dallim nga Presidentja Osmani, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila ditë më parë shpërndau ftesa për lansimin e një projekti artistik “Deri kur”, në bashkëpunim më këngëtarën e njohur Edona Llalloshi, e cila u plasua si projekt me qëllim vetëdijesimin dhe parandalimin e dhunës ndaj grave, bëri të kundërtën.

Ftesa e Ministres së Drejtësisë

Ky projekt ishte paraparë të mbahej më 18 prill, duke filluar nga ora 19:00. Por, duke parë zhvillimet e fundit, Haxhiu që u kritikua shumë si Ministre e Drejtësisë për qasjen tejet simbolike, ka vendosur ta anulojë atë në koordinim me këngëtaren Edona Llalloshi.

Është vetë këngetarja, e cila ka njoftuar për anulimin e ngjarjes ku parashihej të lansohej ky projekt.

Njoftimi publik i këngëtares Edona Llalloshi

Gjatë ditës së sotme, para institucioneve ka protestuar edhe PSD-ja, e cila ka thënë se përderisa qeveritarët e presidenca defilojnë nëpër samite paqe e kompozojnë këngë, një jetë paralele në të cilën gratë përballen me plumba po vazhdon.

https://fb.watch/runMzMp-LS/

“Performancat e simbolikat e qeverisë e presidencës nuk ua kanë ndërru jetën grave për asnjë njësi. Gratë janë vra në vitet e 60ta, gratë po vriten sot. Kjo qeveri edhe ky pushtet don me na mbajtë veç si viktima, sepse duke na mveshë këtë rol na e kërkon dëgjueshmërinë, për të qenë patronizuese ndaj nesh. Na e refuzojmë këtë rol dhe luftojmë për barazi. Shteti e ka obligim, shteti e ka përgjegjësi ekskluzive mbrojtjen e jetës dhe parandalimin e dhunës. Po ky shtet dhe kjo qeveri është frymëzuesi kryesor sot për dhunë dhe vrasje. Në shenjë simbolike na e kemi sjellë një plumb se plumbi e shënon çastin e fundit në jetën e grave të vrara. Ato nuk mund të flasin më, e na kemi me vazhdu me folë e me luftu”, ka thënë Donjeta Demolli e PSD-së. /Demokracia.com/

Të ngjashme