Lajme
Mitrovica e zhytur në borxhe, s’mund as të dekorohet për fundvit
Demokracia
13:34 | 08 Dhjetor 2021

Share:

Borxhet që la qeverisja e kaluar po e pamundësojnë dekorimin e qytetit të Mitrovicës për festat e fundvitit. 

Kjo komunë nuk ka fonde të mjaftueshme për dekorimin e qytetit, pasi borxhet që la qeverisja e Agim Bahtirit janë të mëdha. Megjithatë, me organizime të përbashëta, një gjë e tillë pritet të bëhet nga disa biznese.

Nga Komuna e Mitrovicës, në një përgjigje për Demokracia.com kanë thënë se për shkak të borxheve të akumuluara nga qeverisja e kaluar nuk mund të realizohej një dekorim i tillë nga buxheti komunal.

‘’Ju njoftojmë se Komuna e Mitrovicës në buxhetin e saj nuk ka të planifikuar dekorimin e qytetit për festa të fundvitit. Për shkak të borxheve të akumuluara nga qeverisja e kaluar, si dhe mundësive financiare të kufizuara, dekorimi i qytetit nga buxheti komunal nuk mund të realizohet’’, thuhet në përgjigjen e kësaj komune për Demokracia.com

Komuna e Mitrovicës as në vitin e kaluar nuk ndau buxhet për dekorimin e qytetit, ngase po përballej me COVID-19 dhe në atë periudhë gjendej edhe në zonën e kuqe pandemike.

Nga komuna kanë njoftuar se dekorimi i qytetit ka nisur dje nga disa prej bizneseve lokale.

‘’Megjithatë, falë dëshirës dhe vullnetit të treguar të disa bizneseve mitrovicase, dekorimi i qytetit ka filluar nga dita e djeshme dhe është në proces e sipër’’, thuhet në përgjigjen e Komunës së Mitrovicës.

Ndryshe, pak para zgjedhjeve lokale, Ministria e Financave i kishte tërhequr vërejtjen Agim Bahtirit për borxhet e mëdha.

Në  dokumentin që ia kishte dërguar Thesari, Bahtiri njoftohej se Komuna e Mitrovicës nuk ka fonde për t’i mbuluar shpenzimet përmbarimore dhe nuk i siguron as pagat e rregullta për punëtorë për vitin fiskal.

Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme edhe Komuna e Ferizajt ka përfunduar me procesin e dekorimit, ndërsa Komuna e Prishtinës mbetet e para në organizimin dhe dekorimin e shesheve të saj për festat e fundvitit./Demokracia.com/

Të ngjashme