Lajme
Rusia thotë se do t’i shënjestrojë trupat franceze, nëse dërgohen në Ukrainë
Demokracia
13:38 | 08 Maj 2024

Share:

Rusia e paralajmëroi Francën të mërkurën se nëse presidenti francez, Emmanuel Macron, dërgon trupa në Ukrainë, atëherë ato do të shiheshin si caqe legjitime nga ushtria ruse.

Macroni shkaktoi kundërthënie në shkurt, duke deklaruar se nuk mund ta përjashtonte dërgimin e trupave tokësore në Ukrainë në të ardhmen. Presidenti francez paralajmëroi se nëse Rusia fiton në Ukrainë, atëherë besueshmëria e Evropës do të binte në zero, raporton agjencia “Reuters”.

“Është karakteristike që Macroni vetë e shpjegon këtë retorikë me dëshirën për të krijuar një lloj “paqartësie strategjike” për Rusinë” – tha para gazetarëve zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova.

“Duhet ta zhgënjejmë – për ne situata duket më shumë se e qartë” – shtoi Zakharova.

“Nëse francezët shfaqen në zonën e konfliktit, ata në mënyrë të pashmangshme do të bëhen caqe për forcat e armatosura ruse. Mua më duket se Parisi tashmë ka dëshmi për këtë” – tha më tej zëdhënësja ruse.

Sipas saj, Rusia tashmë po sheh numër të rritje të shtetasve francezë në mesin e të vrarëve në Ukrainë.

Rusia tha të hënën se do ta zbatonte dislokimin e armëve bërthamore taktike si pjesë e një ushtrimi ushtarak pas atyre që Moska tha se janë kërcënime nga Franca, Britania dhe Shtetet e Bashkuara.

Të ngjashme