Lajme
“Erdhi dita”: Kryetari i Vetëvendosjes në Shtërpcë përzgjidhet zyrtar i lartë ligjor në “Gjykatën e tenderëve” (DOKUMENT)
Demokracia
13:51 | 08 Maj 2024

Share:

Partia në pushtet po synon të “kapë” në tërësi njërin prej institucioneve që ka rol kyç në tenderët publikë, Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), shkruan Demokracia.com.

Pasi ngarkoi dhe shkarkoi sipas dëshirës anëtarë të Bordit në OSHP, partia e Albin Kurtit po dëshiron që ta ketë nën kontroll të plotë këtë institucion. Së fundmi aty është pranuar në punë edhe Shpejtim Arifi, i cili është Kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje në Shtërpcë. I njëjti është edhe asamblist nga radhët e VV-së në këtë komunë. Ai ka qenë kandidat për deputetë në zgjedhjet e fundit parlamentare, por nuk kishte arritur të zgjedhej.

Një komision i OSHP-së e ka nxjerr Arifin si fitues për pozitën Zyrtar i Lartë Ligjor, raporton Demokracia.com.

 

Arifi nuk mendon se ka konflikt interesi në këtë rast, meqë është edhe asamblist, por thotë se këtë do ta shoh dhe më pas do të veprojë.

“Unë do të ushtroj edhe pozitën e asamblistit, por në këtë rast nuk mendoj se ka konflikt. Por, do ta shohim si e trajton legjislacioni në fuqi dhe më pas veprojmë. Përzgjedhja ime në këtë konkurs ka kaluar nëpër rrugët ligjore, por në këtë fazë jemi në afatin e ankesave. Përndryshe, punën e juristit e kryej që disa vite”, ka thënë ai shkurtër për Demokracia.com.

Për këtë pozitë, siç ka parë Demokracia.com, kanë aplikuar 52 persona. OSHP-ja ka aprovuar listën me vetëm 39 kandidatë që i kanë plotësuar kushtet dhe në fund në testin me shkrim dhe me gojë, më 90.2 pikë, fitues ka dalë Shpejtim Arifi.

Para dy javësh, Kuvendi ka emëruar anëtarin e Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, ndonëse për të nuk ka pasur fare konkurs. Më 59 vota është zgjedhur anëtare Batisha Ibrahimi.

Qeveria pati propozuar dy kandidatë, Batisha Ibrahimi dhe Meriton Zika, për pozitën e një anëtari të Bordit. Kjo pasi Kimete Gashi ishte shkarkuar nga pozita e anëtares me propozimin e Qeverisë, për shkak të tenderit të Ministrisë së Shëndetësisë për insulina. Ndërsa, një anëtar tjetër ka dhënë dorëheqje. Demokracia.com ka gjetur se Batisha Ibrahimi për shumë vite ka qenë zyrtare e prokurimit në Ministrinë e Drejtësisë. Me ardhjen e ministres Albulena Haxhiu ajo ishte emëruar Zëvendësuese e Udhëheqëses së Divizionit për Prokurim. Ndërsa, në vitin e kaluar është emëruar Udhëheqëse e Divizionit të Prokurimit në MD.

Organizata INPO, Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe Lëvizja Fol, kanë reaguar kundër injorimit të institucionit të konkursit për emërimin e anëtarit të Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit dhe kufizimit të të drejtave të profesionistëve të interesuar, që nëpërmjet mundësive të barabarta të aplikojnë për të qenë pjesë e këtij institucioni.

“Në këtë mënyrë Qeveria po ndërton praktika të mbrapshta dhe të dëmshme të emërimit të personave politik në institucione të pavarura, duke shkelur parimet e transparencës, meritokracisë, qeverisjes së mirë dhe sundimit të ligjit. Qeveria e Republikës së Kosovës, pa aplikuar procedurat e rekrutimit përmes një konkursi të hapur dhe transparent, i ka propozuar Kuvendit të  Republikës së Kosovës, dy (2) kandidatë për pozitën e një (1) anëtari të bordit të OShP-së, më  ç’rast Kuvendi në seancën e fundit, në seancën plenare, votoi znj. Batisha Ibrahimi për anëtare”, thuhej në reagimin e tyre, përcjell Demokracia.com.

OShC-të sjellin në vëmendje se pavarësisht që me ligjin e aplikueshëm për prokurimin publik në Kosovë, nuk përcaktohet në mënyrë eksplicite instituti i konkursit gjatë përzgjedhjes së kryetarit dhe anëtarëve të Bordit të OShP-së, si dhe që nga viti 2019 është ndërtuar praktikë e mirë e përzgjedhjes së anëtarëve të Bordit të OShP-së përmes konkursit të hapur dhe transparent.

Në konkursin e fundit për përzgjedhjen e kryetarit dhe anëtarëve të OShP-së, të shpallur nga kjo Qeveri, kanë konkurruar gjithsej 25 kandidatë. Mirëpo, vetëm tre (3) nga konkurrentët ishin rekomanduar për votim, ndërkohë dy (2) kandidatët tjerë ishin propozuar dhe zgjedhur pa ju nënshtruar konkursit fare. Këta dy anëtarë, kujtojmë se kanë dhënë dorëheqje nga pozita e tyre në kohën kur OShP-ja përballej me sfida të mëdha dhe me numër të madh të lëndëve në shqyrtim. /Demokracia.com/

 

 

Të ngjashme