Lajme
Me zë dhe figurë | Albin Kurti: Kemi Marrëveshje edhe pse Serbia nuk ka nënshkruar (VIDEO)
Demokracia
20:45 | 11 Nëntor 2023

Share:

Mungesa e konsistencës së kryeministrit Albin Kurtit, në një çështje me rëndësi të veçantë për Republikën e Kosovës, siç është Dialogu me Serbinë, po krijon pasoja ta pariparueshme për shtetin tonë.

Që prej tri vitesh, kur Kurti ka filluar ta përfaqësojë Kosovën në dialogun me Serbinë, është e vështirë që ai të mbajë një linjë të qëndrimit kur flitet edhe për një çështje të caktuar, shkruan Demokracia.com.

I tillë është Kurti edhe kur bëhet fjalë për çështjen e nënshkrimit të Marrëveshjes Bazë [Bruksel, 27 shkurt 2023] dhe Aneksit të zbatimit të saj [Ohër, 18 mars 2023].

Dy deklaratat e Kurtit, të dhëna nga foltorja e njëjtë e Kuvendit të Kosovës, janë krejtësisht të ndryshme nga njëra tjetra. Në njërën deklaratë Kurti thotë se “ka Marrëveshje, paçka se ajo nuk është nënshkruar nga Serbia”, ndërkaq në tjetrën, ai e ndërlidh zbatimin e Marrëveshjes me nënshkrimin formal të saj.

23 mars 2023

Kryeministri Albin Kurti e ka arsyetuar mos-nënshkrimin e Marrëveshjes së Brukselit nga ana e Serbisë me arsyet e brendshme politike të saj.

“Me të drejtë mund të theksojë dikush faktin që Serbia nuk e ka nënshkruar Marrëveshjen. Ata thonë për arsye të brendshme, por kjo nuk i ulë detyrimet ndaj Bashkimit Evropian. Pra, ne kemi Marrëveshje, paçka se ajo nuk është nënshkruar sepse pala tjetër ka refuzuar ta nënshkruajë”, deklaronte Kurti më 23 mars 2023.

3 nëntor 2023

Kryeministri Kurti u ka treguar deputetëve të Kuvendit të Kosovës se çfarë u ka thënë më 26 tetor lidhur me nënshkrimin e Marrëveshjes, Kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz, Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, Kryeministres së Italisë, Giorgia Meloni, Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, Zëvendëspresidentit të Komisionit Evropian, Përfaqësuesit të Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, si dhe emisarit të tij për rajonin e Ballkanit dhe dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajcakut.

“Para krerëve të Bashkimit Evropian si dëshmitarë dhe si garantues ne ofruam të nënshkruajmë Marrëveshjen Bazë të Brukseli të 27 shkurtit, me gjithë Aneksin Zbatues të Ohrit të 18 marsit, si dhe propozimin për zbatimin e nenit 7 të Marrëveshjes në lidhje me nenin 10, pra për idenë e vetëmenaxhimit të shndërruar në propozim.Nënshkrimi do të nënkuptonte pranim, e për rrjedhojë edhe zbatim. Mirëpo, pranimi do të thotë nënshkrim, e vetëm nënshkrimi do të thotë pranim dhe garanci për zbatim. Samiti i Këshillit Evropian në Bruksel ishte ngjarja por edhe vendi, edhe kryeqyteti ku kjo do të duhej të ndodhte. Serbia refuzoi sërish nënshkrimin, duke refuzuar kështu edhe draftin për vetëmenaxhim apo zbatimin e nenit 7 të Marrëveshjes në lidhje me nenin 10 të Marrëveshjes Bazike”, deklaronte Kurti më 3 nëntor 2023. / Demokracia.com /

Me zë dhe figurë | Albin Kurti: Kemi Marrëveshje edhe pse Serbia nuk ka nënshkruar (VIDEO)

LAJMI I PLOTË: https://tinyurl.com/y8pthxr7

Posted by Demokracia on Saturday, November 11, 2023

Lexo edhe këtë:

“Nënshkrimi” | Kurti me filma të lodhtë në kërkim të nënshkrimit të Serbisë, ai është pajtuar me Vuçiqin që Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit të hyjnë në fuqi me Deklaratën e BE-së

Të ngjashme