Lajme
Osmani: Mickoski na ktheu në Jugosllavi, zgjedh përfaqësuesit e shqiptarëve pa vullnetin e tyre – si Serbia, Rrahman Morinën
Demokracia
17:09 | 29 Prill 2024

Share:

Nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Bujar Osmani, ka thënë se Hristjan Mickoski, lideri nacionalist i partisë maqedonase VMRO-DPMNE, ka arritur të rikthejë “një kujtim të nënçmimit 100 vjeçar të çdo shqiptari”, meqë po dëshiron që qeverinë e ardhshme ta krijojë me koalicionin e partive opozitare shqiptare “VLEN”, që në zgjedhjet presidenciale të 24 prillit dolën humbës në krahasim me Frontin Evropian.

“Mickoski arriti të irritojë një nerv të cilin menduam se është fshehur thellë”, u shpreh Osmani në një konferencë për media.

Në vlerësimin e tij, Mickoski ka arritur t’ia kthejë shqiptarëve kohën e Jugosllavisë kur Beogradi në Kosovë zgjidhte shqiptarët të cilët ishin të gatshëm për t’i shërbyer Serbisë, si me rastin e ish-udhëheqësit komunist, Rrahman Morinën.

“Ai kthehu kujtimin e kohës së Jugosllavisë kur Beogradi thoshte: ‘Pavarësisht çfarë ju dëshironi, Rrahman Morina është ai i cili do t’ju përfaqësojë’, ndërsa Rrahman Morina qeshej me cinizëm”, ka shtuar ai.

Hristjan Mickoski, lideri nacionalist i partisë maqedonase VMRO-DPMNE, ka thënë se qeveria e ardhshme, që do formohet pas zgjedhjeve të 8 majit, do të bëhet mes partisë që ai udhëheqë dhe koalicionit të partive opozitare shqiptare “VLEN”, duke shtuar se të njëjtit nuk i kanë kusht ndryshimet kushtetuese për t’u bërë pjesë e ekzekutivit.

Këto komente, Mickoski i ka bërë në një prononcim para gazetarëve, derisa iu kundërpërgjigj Kreshnik Bekteshit të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), i cili theksoi se lideri nacionalist maqedonas duhet ta kërkojë në “Google Maps”, Reçicën e Vogël, vendi ku gjendet selia kryesore e BDI-së.

“E kam gjetur Reçicën e Vogël, por do të shohim tutje si do të funksionojnë ata Google maks…Maps dhe nëse do të jetë Idrizova destinacioni që ata do ta kërkojnë”, tha fillimisht Mickoski, transmeton “TV21”.

Ai ka shtuar se sa i përket qeverisë së re, qytetarët kanë folur duke iu referuar zgjedhjeve presidenciale – të fituar në kampin maqedonas bindshëm nga VMRO-ja – por si partnerë shqiptarë ka zgjedhur “VLEN”-in, ndonëse janë humbës të zgjedhjeve presidenciale nga “Fronti Evropian” te shqiptarët për rreth 40 mijë vota.

“Qytetarët folën, koalicioni i ardhshëm në Maqedoni do ta udhëheq VMRO-DPMNE, ndërsa në të do të jetë koalicioni që në këto zgjedhje mori pjesë nën emrin VLEN”, potencoi ai.

Të ngjashme