Lajme
Me sy nga Këshilli Kombëtar apo Sali Berisha?
Demokracia
08:22 | 23 Dhjetor 2023

Share:

Në një shtrirje kohore prej pesë muajsh, ish-kryeministri shqiptar Sali Berisha ka thirrur tre herë mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Rithemelimit.

Tematikat e ndryshme. Kushtet akoma më shumë.

Në gusht do flitej për zgjedhjet lokale të 14 majit – ku sipas Berishës ka qenë farsa më e madhe elektorale, ndërsa herët e fundit për “betejën pa kthim të opozitës”.

Dhe ndryshimi kryesor, asokohe Berisha ishte i “pastër”, ndërsa tashmë mbi të rëndojnë akuza për korrupsion pasiv sa i takon çështjes së ish-klubit Partizani.

Më 26 dhjetor pritet të vuloset dhe fati i tij, pasi SPAK ka dërguar pranë GJKKO-së kërkesën për ndryshim të masës së sigurisë.

Megjithatë ende nuk dihet se çfarë mase ka kërkuar SPAK për Berishën, nëse do lihet në arrest shtëpie apo do të prangoset dhe shoqërohet në burg.

Pavarësisht, se tashmë është pa imunitet ai është zotuar për vijim të aksionit opozitar.

Një dorë ka shtrirë ndaj demokratëve, pasi sipas tij të bashkuar mund të rrëzojnë Edi Ramën.

“Me një lëvizje të fuqishme në mbarë vendin, ju garantoj se nuk mbetemi forca e vetme e shpresës, por forca më e sigurt e fitores për shqiptarët. Duan ta lënë Shqipërinë pa opozitë. Ne do jemi zëdhënës të shqiptarëve. Nuk ngatërrojmë akte të shkëputura nga vlerat universale të partnerëve perëndimor”.

Vendimi për mbledhjen e Këshillit u mor në mbledhjen e Kryesisë së partisë, pas një dite të gjatë dhe kaotike.

Kjo pasi në seancën plenare që do të shkruhet në histori, pasi për vetëm pesë minuta (kohë rekord) iu hoq imuniteti Berishës, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme.

Edhe dokumenti zyrtar si përgjigje ndaj SPAK është hartuar mjaft shpejt, ku për vetëm dy orë është bërë dërgimi i tij.

Në dokument, vërehet se pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, Parlamenti e ka miratuar atë, duke i hequr Berishës imunitetin që i jep statusi i deputetit dhe duke i hapur rrugë veprimit të mëtejshëm të SPAK.

Po ashtu, bashkëngjitur me dokumentin, janë dërguar pranë SPAK edhe raportet rekomanduese – të deputetëve të shumicës dhe të Enkelejd Alibeajt – të vendosur pas mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.

Pas kësaj, Sali Berisha mund të arrestohet nga Prokuroria e Posaçme SPAK.

Në mbledhjen e sotme të ftuar janë dhe deputetët e grupimit të Gazment Bardhit, të cilët në aksionin parlamentar kanë qëndruar “fuqishëm” krah Berishës.

Pavarësisht se Berisha flet për organizim partie, sytë janë kah vendimi ndaj tij. Një pyetje ka ngelur pezull që është në duar të “avoketërve të Berishës”: Nëse ka arrest shtëpie, ku do e kryejë ish-kryeministri në Seli apo Shtëpi?

Të ngjashme