Lajme
Me liderë shqiptarë dhe ndërkombëtarë i prishi raportet, Kurti i izoluar më s’i përfillë as kërkesat e ambasadorëve të huaj
Demokracia
20:42 | 03 Shkurt 2024

Share:

Edhe pak ditë bëhen 3 vjet prej kur Albin Kurti dhe dhe Vjosa Osmani i fituan zgjedhjet. Në këto tri vjet, Qeveria Kurti u karakterizua me një diplomaci shterpe që e vendosi vendin nën masa ndëshkuese të BE-së. E përveç nuk po arrin të gjejë gjuhën e mirëkuptimit me liderët ndërkombëtarë, Kurti s’po ka bashkëpunim e koordinim as me liderët shqiptarë në Shqipëri, Maqedoni të Veriut e Luginë të Preshevës.

Kurti momentalisht ka raporte të tensionuara me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, kryeministrin shqiptar të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhafaeri dhe kryetarin e Luginës së Preshevës, Shqiprim Arifi. Përzirja në zgjedhjet jashtë kufijve të Kosovës ka bërë që Kurti t’i acaroi raportet me liderët shqiptarë. Ndonëse u tregua pak bashkëpunues muajve të kaluar me ndërkombëtarët, Kurti pasi tregoi pak konstruktivitet dhe BE-ja nuk i hoqi as sanksionet, së fundmi i është rikthyer sërish veprimeve që nxisin tensione.

Të paktën kështu po shihet edhe nga ambasadorët e shteteve të Quintit në Kosovë.

Sipas një burimi diplomatik, Kurti aktualisht ka raporte më të mira vetëm me ambasadorin gjerman, pasi që sipas tij që të dy banojnë në të njëjtën zonë dhe nganjëherë edhe takohen privatisht. Sipas po këtij burimi diplomatik, Kurti me aksionet e fundit po sillet si një rebel i padëgjueshëm për shkak të mos-heqjes së sanksioneve ndërkombëtare dhe izolimit të tij si lider. Kjo po cilësohet si arsye pse Kurti ka filluar shumë hapur të jetë shpërfillës ndaj kërkesave ndërkombëtare, duke ndërmarrë edhe aksione që nxisin tensione me komunitetin serb, që janë edhe me ndikim elektoral, të cilat po kundërshtohen ashpër nga ndërkombëtarët.

Së fundmi, për çështjen e dinarit edhe ambasadori Jeff Hovenier kërkoi që të shtyhet vendimi. “Sot zhvillova një takim produktiv me guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili. Përsërita shqetësimet e SHBA-së lidhur me zbatimin e rregullores së miratuar për operacionet me para të gatshme. Ne bëjmë thirrje që zbatimi i kësaj rregulloreje të shtyhet, në mënyrë që të japë kohë për tranzicion më efektiv dhe komunikim me publikun që të zbutet ndikimi negativ te qytetarët”, shkroi Hovenier në X ditë më parë.

Të shqetësuar me këtë vendim të BQK-së ishin shprehur edhe ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde dhe shefi i BE-së, Tomas Szunyog. Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ishte pajtuar me shefin e zyrës së Bashkimi Evropian, Tomas Szunyog, për sa i përket kohës së dhënë serbëve nga ana e Bankës Qendrore të Kosovës për adaptimin me vendimin për dinarin.

“Unë ndaj shqetësimin e njëjtë të ngritur nga kolegu im nga BE-ja”, kishte shkruar ai në platformën sociale, X, ndërsa ka rishpërndarë njoftimin e takimit të Szunyog me Guvernatorin e BQK-së, Ahemt Ismaili. Szunyog kishte takuar Ismailin më 23 janar ku ndër temat e diskutuara ka qenë vendimi i fundit i këtij institucioni financiar, i cili vendosi se pagesat në Kosovë mund të bëhen vetëm me valutën Euro, gjë që nga autoritetet serbe një vendim i tillë u interpretua se gjoja Qeveria po ndalon përdorimin e valutës shtetërore serbe, Dinarin, në Kosovë, gjegjësisht në komunat të banuara me shumicë serbe. Përmes një postimi në llogarinë e tij në, X, diplomati çek pas takimit kishte shprehur shqetësimet e tij, meqë siç ka konsideruar ai, “është paraparë shumë pak kohë që serbët të adaptohen me vendimin e këtij institucioni”.

“E pyeta se si do të zbatohet, pasi pritet të ndikojë veçanërisht në jetën e qytetarëve në zonat me shumicë serbe. Shpreha shqetësimin për faktin se ka shumë pak kohë për përshtatje para hyrjes në fuqi të rregullores”, ka shkruar Szunyog.

Shteti i Francës kërkoi zyrtarisht që vendimi për dinarin të pezullohet. Ndërsa, ambasadori francez në Kosovë, Olivier Guerot, në intervistë për Telegrafin shprehu arsyen e kësaj.

“Ashtu sikurse partnerët tanë, ne bëjmë thirrje që të vendoset një periudhë e mjaftueshme tranzitore dhe që kjo temë të diskutohet në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Dëshirojmë që autoritetet kosovare të marrin parasysh sa më shumë efektet që kjo mund të ketë për qytetarët që u përkasin pakicave, serbëve të Kosovës, por jo vetëm. Ne i kushtojmë vëmendje të veçantë karakterit multietnik të Kosovës dhe të gjitha garancive që duhet të kenë pakicat. Këto garanci duhet të zbatohen konkretisht dhe duhet të ushqehet dialogu mes komuniteteve dhe qeverisë. Kjo është një çështje kyçe lidhur me kërkesat për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në Bashkimin Evropian. Na vjen keq që ky vendim duket se nuk ka qenë objekt i konsultimeve paraprake para publikimit të kësaj rregulloreje të re. Është e rëndësishme që qytetarëve të interesuar t’u ofrohen alternativa konkrete dhe praktike në mënyrë që përditshmëria e tyre të mos ndikohet negativisht, qoftë edhe përkohësisht. Është kjo periudhë konsultimesh që dëshirojmë ta shohim të hapet me zbatimin e rregullores së re për përdorimin vetëm të euros, vetëm në fund të saj, për shembull pas disa muajsh, pasi të zbatohen aranzhimet/marrëveshjet e nevojshme. Dispozitat e tjera të saj në lidhje me falsifikimin nuk paraqesin të njëjtat vështirësi.”, u shpreh ai.

Por, krejt këto këshilla e kërkesa nuk i mori për bazë Kurti.

“BQK është institucion i pavarur i Kosovës, nuk munden politikanët t’i mbivendosen institucioneve të pavarura të shtetit, sepse asisoj e humbim karakterin e republikës demokratike për vendin tonë të pavarur. Kushtetutshmëria, ligjshmëria, vendimmarrja e institucioneve të pavarura, nuk mund të negociohen nga politikanët”, ishte përgjigjur Kurti pas kërkesave të aleatëve.

Për shkak të moskoordinimit të Kurtit, Kosova gjendet nën masa ndëshkuese të BE-së për afro 8-muaj. Ditë më parë, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se masat mbesin në fuqi pasi Qeveria Kurti s’i ka plotësuar kushtet e kërkuara nga BE.

“Masat nuk janë shpikur ashtu. Masat kanë qenë reagim nga BE-ja dhe 27 vendet anëtare të saj, ndaj një numri të hapave kundër-produktiv nga pala kosovare që shpien deri te një përshkallëzim serioz i situatës. BE-ja ka bërë kërkesa specifike ndaj Kosovës për depërshkallëzim dhe ata hapa, ato veprime, kanë qenë shumë të qarta dhe shumë herë të përsëritura për palën kosovare. Këto masa që janë vendosur, në mungesë të progresit, apo depërshkallëzimit, ato mund të largohen, të hiqen në çdo moment kur vendet anëtare dhe Bashkimi Evropian thonë “po, mjaft është bërë, por fatkeqësisht nuk është bërë gjithçka, nuk është bërë mjaft. Ka pasur disa gjëra e veprime të bëra, por Kosova duhet të përmbushë në tërësi ato kërkesa”, u shpreh Stano.

KURTI PËRÇAU SHQIPTARËT

Kurti që e fliste për Bashkimin Kombëtar në opozitë, tash si kryeministër i ka prishur raportet edhe me liderët shqiptarë në Shqipëri, Maqedoni të Veriut e Luginë të Preshevës. Kur ishte në opozitë, Albin Kurti fliste për bashkimin e trojeve shqiptare zëshëm dhe sulmonte qeveritarët atëherë që s’po punojn në këtë drejtim. Tash kur janë bërë afro 3-vite kur është bërë kryeministër, ai e ka harruar krejtësisht këtë temë, shkruan Demokracia.com.

LEXO MË SHUMË:

Bashkimi Kombëtar “ideali i madh i Albin Kurtit”, që nuk paska qenë kurrë i vërtetë

Kryeministri Kurti i ka prishur raportet me liderët e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe të Luginës së Preshevës. Ai nuk i ka raportet fare të mira me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Shpeshherë kemi parë thumbime mes tyre. Ngjarja e fundit që shkaktoi një hendek në marrëdhëniet e tyre ishte në qershor të vitit 2023. Kurti kishte refuzuar një takim vëllazëror me Ramën, pasi ishte anuluar mbledhja e dy qeverive në Gjakovë.

LEXO MË SHUMË:

Kurti nuk e do as Shqipërinë, refuzon një takim vëllazëror me Edi Ramën

Pastaj, në muajin korrik, Kurti kishte refuzuar të shkonte në darkën joformale të liderëve të Ballkanit Perëndimor në Tiranë, në kuadër të përgatitjeve për Procesin e Berlinit. Kurti i dha prioritet një konference jo të rëndësishme në Greqi para takimit në Tiranë. Papjekuria politike e tij në këtë rast u kritikua shumë.

La Shqipërinë për Greqinë| Kurti kritikohet për papjekuri shtetërore

Në Luginën e Preshevës, Kurti përçau partitë politike, duke mbajtur anë. Ai nuk ka asnjë lloj marrëdhënie as me Kryetarin e Preshevës. Në zgjedhjet e fundit në Serbi, Kurti mbajti anë dhe nuk tentoi t’i bashkojë shqiptarët në një listë.

LEXO MË SHUMË: https://demokracia.com/arifi-kurti-po-percan-shqiptaret-ne-luginen-e-presheves/

Ndërsa, në Maqedoninë e Veriut, Kurti vendosi të mbajë anën e opozitës shqiptare, që dolën kundër arritjes historike të shqiptarëve, ku Talat Xhaferi u bë kryeminstri i parë shqiptar në histori të RMV-së. /Demokracia.com/
LEXO MË SHUMË: https://demokracia.com/e-turpshme-opozita-shqiptare-ne-maqedoni-qe-mbeshtetet-nga-kurti-nuk-do-te-votojne-kryeministrin-e-pare-shqiptar/

Xhaferi nuk ka marrë asnjë mesazh urimi personal nga Kurti: S’më takon të komentojë vendimet politike të tij

Të ngjashme