Lajme
Me largimin e Lajçakut nuk zhbëhen marrëveshjet e Kurtit që kurthuan Kosovën me themelim të Zajednicës, vetëmenaxhim e autonomi për serbët dhe status special për Kishën
Demokracia
12:49 | 06 Prill 2024

Share:

“Në procesin e dialogut janë disa muaj vendimtarë, sepse në maj janë zgjedhjet në BE, pas zgjedhjeve në BE do të kemi komisionerë të rinj, zyrtarë të rinj, që do ta marrin përsipër procesin e dialogut. Sipas të gjitha gjasave edhe ndërmjetësues të ri, nga ajo që më është thënë nga Lajçak, i cili e ka mandatin deri diku në gusht”.

Pa e pyetur askush, këtë lajm e kishte dhënë presidentja Vjosa Osmani, më 23 shkurt 2024, e cila nuk arrinte të fshihte gëzimin, shkruan Demokracia.com.

Më shumë se një informatë e zakonshme, Osmani po jepte lajmin se situata në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ku Republika e Kosovës është në defansivë totale dhe krejtësisht e çorientuar për shkak të rolit të dobët të Kurtit, mund të ndryshojë me ardhjen e një ndërmjetësuesi të ri në vjeshtë.

Por, ky është veç një gëzim i kotë i presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti, pasi as zgjedhjet në Bashkimin Evropian dhe as zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk mund të zhbëjnë Marrëveshjet e arritura më 27 shkurt 2023 në Bruksel dhe 18 mars 2023 në Ohër mes kryeministrit kosovar Albin Kurtit dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiq.

Në këto marrëveshje, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka arritur të sigurojë njohjen e Republikës së Kosovës nga Serbia, si një kërkesë e vazhdueshme edhe e bashkësisë ndërkombëtare (SHBA dhe BE) dhe as anëtarësimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Përkundrazi, në këto marrëveshje, Kurti ka njohur të drejtën e Serbisë që të mos e njoh Republikën e Kosovës.

27 SHKURT 2023 | SI IA DHA KURTI SERBËVE ZAJEDNICËN ME VETËMENAXHIM E AUTONOMI?

Në natën e 27 shkurt 2023 u rrënua i gjithë opozitarizmi dhjetëvjeçar kundër Zajednicës apo Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, që me dhunën si mjet politik që u përdorë nga Kurti dhe Vetëvendosje, Republikës së Kosovës i solli pasoja të pariparueshme në konsolidimin e brendshëm dhe ndërkombëtar.

Përveç kësaj, në Marrëveshjen Bazë nuk ishte vetëm neni 10 ku flitej për Zajednicën apo Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Kurti, për herë të parë në marrëveshje me Serbisë kishte përfshirë edhe një nen të veçantë Zajednicën (neni 7), duke tjetërsuar qëllimin e saj. Madje, në këtë nen, Kurti ishte pajtuar edhe për çështjen e Statusit të Kishës Ortodokse Serbe.

Ky nen nuk ishte përmendur asnjëherë më parë në procesin negociator mes Kosovës dhe Serbisë, por ndodhi, ashtu siç e pranoi edhe vetë Kurti, gjatë dialogut të udhëhequr prej tij, që u formalizua në Marrëveshjen Bazë (Bruksel, 27 shkurt 2023) e arritur nga ai me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

https://demokracia.com/27-shkurt-2023-njevjetori-i-marreveshjes-se-brukselit-si-ia-dha-kurti-serbeve-zajednicen-me-vetemenaxhim-e-autonomi/

18 MARS 2023 | NJË VIT NGA MARRËVESHJA E KURTIT QË E LIDHI INTEGRIMIN EVROPIAN TË KOSOVËS ME THEMELIM TË ZAJEDNICËS, VETËMENAXHIM E AUTONOMI PËR SERBËT

“Zajednica”, “Vetëmenaxhimi për serbët” dhe “Statusi i Kishës Ortodokse Serbe”, janë themelet e Marrëveshjes Bazë të Brukselit. Por, me Aneksin e Ohrit, ato janë bërë pjesë e pandashme e rrugës së Kosovës për në Bashkimin Evropian. Suksesi i këtij anëtarësimi është i varur plotësisht nga niveli i zbatimit të këtyre marrëveshjeve.

Në pikën 2 të Aneksit të Ohrit thuhet se “palët e kanë parasysh se Marrëveshja dhe Aneksi i zbatimit bëhen pjesë integrale e proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE”.

https://demokracia.com/18-mars-2023-nje-vit-nga-marreveshja-e-kurtit-qe-e-kurthoi-integrimin-evropian-te-kosoves-me-themelim-te-zajednices-vetemenaxhim-e-autonomi-per-serbet/

KURTI DHE VARTËSIT E TIJ INSKENUAN PËRPLASJEN, POR NË TRYEZËN E DIALOGUT NUK I REFUZOJNË ASGJË

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me vartësit e tij apo edhe përgjithësisht Lëvizjen Vetëvendosje, jo rrallë e kanë sulmuar me gjuhë të ashpër emisarin evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Krejt ndryshe, në takimet në Bruksel a gjetiu, Kurti dhe vartësit e tij shfaqen të butë dhe të dëgjueshëm ndaj tij, shkruan Demokracia.com.

Në jo pak raste, Kurti personalisht, por edhe vartësit e tij si zëvendëskryeministri Besnik Bislimi apo edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca e kanë akuzuar Lajçakun si njeri që nuk është netural në dialog, por që po “punon për Serbinë”.

Para çdo pranimi të propozimit, Kurti dhe vartësit e tij kanë ndjekur strategjinë lehtësisht të diktuar nga jashtë.

Kurti dhe vartësit e tij kanë inskenuar përplasjen me emisarin evropian Lajçak, por në tryezën e dialogut, asnjë propozim apo dokument i tyre nuk është hedhur poshtë, përfshirë edhe Marrëveshja Bazë [Bruksel, 27 shkurt 2023] dhe Aneksi i zbatimit të saj [Ohër, 18 mars 2023]. /Demokracia.com/

https://demokracia.com/pushteti-inskenon-perplasjen-kurti-me-fjale-kunder-lajcakut-dhe-asnje-ide-nuk-ia-refuzoi-as-zajednicen-me-arbitrazh-dhe-autonomi-per-serbet/

Të ngjashme