Diaspora
Me aplikim anonim për punë, kundër diskriminimit të të huajve
Demokracia
17:54 | 14 Janar 2021

Share:

Përparim Avdili, asamblisti shqiptar në Parlamentin e Qytetit të Cyrihut nga FDP dhe kolegia e tij nga GLP, Isabel Garcia duan që realitetin e shoqërisë së Cyrihut ta sjellin edhe në mesin e të punësuarve

Nëse do të jetësohej një projekt-pilot që po e udhëheqin krerët e lëvizjes “Seconda” (brezi i dytë i të huajve) të Cyrihut, aplikimi për vende të punës do të bëhej në mënyrë të anonimizuar, shkruan albinfo.ch.

Përparim Avdili, asamblisti shqiptar në Parlamentin e Qytetit të Cyrihut nga FDP dhe kolegia e tij nga GLP, Isabel Garcia duan që përmes këtij projekti, realitetin që tashmë e karakterizon shoqërinë e Cyrihut ta sjellin edhe në mesin e të punësuarve në qytet, shkruan tages anzeiger.

Ose, siç e thotë Garcia: “Mbiemrat klasikë zviceranë si Heeb, Fischer, Vogel etj., që i bartin shumë punonjës shteti në Cyrih, nuk shkojnë më me realitetin e qytetit, transmeton albinfo.ch. Ky realitet është dukshëm më i përafërt me atë të formacioneve të klubeve të futbollit si FCZ ose GC (që kanë shumë të huaj brenda tyre, v.j.).

Për këtë arsye, Isabel Garcia dhe Përparim Avdili angazhohen që edhe emrat në institucionet e qytetit së shpejti të tingëllojnë si ata në një klub futbolli.

Ata të dy besojnë se aplikuesit me emra “të huaj” janë pjesërisht të diskriminuar në rastet e punësimit. “Nuk dua të akuzoj askënd për ligësi por disa paragjykime negative janë të rrënjosura thellë në ne”, thotë Avdili. “Gjinia dhe prejardhja ndikojnë shpesh në gjykimin që u bëjmë njerëzve edhe kur nuk jemi të vetëdijshëm për këtë”.

Avdili e njeh këtë problem nga përvoja personale. Kur ai po kërkonte një vend për të bërë praktikën atij i qe dashur të bënte më shumë përpjekje se sa një nxënësi njësoj të mirë por me emër zviceran. Tani ai punon në sektorin e financave dhe është vetë në pozitën që të vlerësojë aplikimet e të tjerëve, përcjell albinfo.ch. “Kështu, kam mundësinë që të vërej efektin e njëjtë por nga pozita e ndërmarrësit”.

Një studim aktual i realizuar nga Universiteti i Neuchatel-it ka ardhur në përfundimin se njerëzit me emra (mbiemra) të huaj detyrohen të dërgojnë rreth 30 për qind më tepër aplikime derisa të ftohen në intervistë. Dhe, më së rëndi ky diskriminim, sipas studimit godet kosovarët.

Në nivel kantoni, që nga vera e kaluar janë duke u bërë përpjekje të ngjashme. Në Parlamentin Kantonal partitë si SP, GP dhe GLP po kërkojnë përmes një mocioni, që në hyrje të çdo aplikimi për punë, të fshihen të dhënat personale të aplikantëve.

Në fund të nëntorit për këtë qe deklaruar Qeveria e Kantonit. Përgjigjja e saj ishte: Fatkeqësisht, jo. Sipas tyre është mjaft shumë duke u ndërmarrë për të siguruar punësime “josdikriminuese”. Ndërsa jetësimi i mocionit në fjalë do të shkaktonte “shpenzime të konsiderueshme”.

Një projekt pilot po zhvillohet në departamentin kantonal të drejtësisë, të drejtuar nga Jacqueline Fehr (PS). “Në mënyrë që të parandalojmë paragjykimet nga vendimet për punësim të personelit, ne duhet të mashtrojmë trurin tonë”, thotë nëpunësja e ngarkuar, Astrid Rossegger.

Një iniciativë e tillë kishte dështuar 15 vjet më pare. Në vitin 2006, PS kishte paraqitur një iniciativë anonimizimi në Këshillin Kantonal. Iniciativa pati dështuar për shkak të rezistencës nga partitë e djathta. Ato kishin frikë nga “zgjidhjet e kuotave” dhe “shkeljet e lirisë kontraktuale”.

Të ngjashme