Diaspora
6 sugjerime për integrimin e kulturës dhe historisë sonë në shkollat e Diasporës
Demokracia
20:50 | 17 Janar 2022

Share:

Me më shumë se 1.4 milion shqiptar që jetojnë jashtë Shqipërisë, kryesisht në Itali, Greqi, dhe nëpër gjithë botën, Diaspora shqiptare vazhdon të rritet në numër nga dita në ditë. Zbrazja e Shqipërisë dhe tokave shqiptare në Mal të Zi, Kosovë e Maqedoni prej popullsisë së re dhe të edukuar (largimi i trurit/intelektit) në një numër të konsiderueshëm paraqet një nga rreziqet më të mëdha për ardhmërinë e kombit tonë. Për këtë arsye, mbajtja gjalle e gjuhës, dhe nëpërmjet saj, kulturës sonë është detyrë dhe përgjegjësi që bie mbi të gjithë, e veçanërisht mbi mësuesit e gjuhës shqipe kudo që jetojnë. Në këtë prezantim, do të paraqes shkurtimisht disa mënyra për të integruar kulturën dhe historinë tonë në mësimin e gjuhës shqipe në shkollat e Diasporës në SHBA, Evropë, Australi apo kontinente të tjera ku shqiptarët jetojnë e punojnë.

Kultura është shuma e traditave, vlerave, etika, si dhe arti e krijimtaria artistike (me një fjalë trashëgimia, përfshi edhe historia) i/e një kombi të cilat se bashku e bëjnë atë unik në familjen e kombeve në botë. Krejt natyrshëm lind pyetja se si mund ta integrojmë kulturën tonë shqiptare në mësimin e gjuhës shqipe në shkollat e Diasporës, sepse gjuha dhe kultura janë dy anë të një monedhe. Gjuha vete është boshti i kulturës së një kombi, sepse gjuha është mbartëse dhe njëkohësisht shprehëse e atyre vlerave, traditave, dhe etikës shoqërore apo familjare që përbëjnë bërthamën e kombit. Gjuha është ajo që ruan dhe tregon të shkuarën shekullore, por edhe ndihmon të përshkruajë të tashmen ashtu si ndodh në jetën e përditshme. Si shprehje verbale e një kulture, gjuha përcjell përvojën tonë si popull. Gjuha mbartet nga njerëzit kudo ku ata ndodhen fizikisht: në shtëpi, punë, ambiente shoqërore, gjithashtu edhe në klasë. Gjuha artikulon ndjenjat njerëzore, shpërndan mirënjohje, ofron kritikë, shqetësim, por edhe inkurajim edhe rrugëzgjidhje. Fjalët unike shqipe “Më Fal,” “Faleminderit,” “Të Lumtë” i ilustrojnë këto raste më së miri.

Mësimi i gjuhës në shkollat e Diasporës ndërlikohet edhe më shumë në këtë periudhë të përhapjes se Covid-19, dhe pyetja tjetër që lind natyrshëm është se si mund të ruajmë interesimin e fëmijëve në mësimin e gjuhës në këtë kohë kur klasat ofrohen në mënyrë virtuale. Kultura është një mjet efektiv për të arritur këtë qëllim sepse prezantimi i aspekteve kulturore rrit interesin e nxënësve dhe i mban ata të motivuar për të mësuar. Në këtë mënyrë, duke integruar aspekte të kulturës dhe historisë, klasat e gjuhës bëhen eksperienca mbresëlënëse dhe edukuese në të njëjtën kohë për të gjithë fëmijët e moshës shkollore.

Mënyra e parë për të integruar aspekte të kulturës në mësimin të gjuhës shqipe është përdorimi i materialeve origjinale, sepse fëmijët kuptojnë nëpërmjet tyre se si të rriturit e përdorin gjuhën në mënyrë aktive çdo ditë. Për shembull: Një vizitë në Shqipëri është mënyra më e mirë për të vënë në kontakt fëmijën me kulturën e tij apo të prindërve e gjyshërve të tij. Po ashtu, ilustrimi i fjalëve shqip të marra nga këngë, valle, poema, apo filma të cilat janë mbresëlënëse dhe që mbahen mend lehtë nga fëmijët është një mënyre efikase për të integruar aspekte kulturore e artistike në mësimin e gjuhës. Librat në shqip qoftë ato me përralla, mitologji shqiptare (Eposi i Kreshnikëve), apo me tregime të shkurtra (Djali dhe Dallëndyshja të Gaqo Bushakës) janë po aq efektive për t’u mësuar fëmijëve aspekte të kulturës dhe trashëgimisë sonë kulturore të integruara në mësimin e shqipes, veçanërisht pasi ata kanë mësuar gërmat e alfabetit dhe janë gati të fillojnë leximin.

Përfshirja e informacionit bashkëkohor – filma me kartona, karakteret e tyre me të cilat fëmijët janë të lidhur nëpërmjet televizionit, si dhe aktivitete të ndryshme të organizuara në komunitetin shqiptar janë rrugë po aq të rëndësishme për mbajtjen gjallë të interesit të fëmijëve në mësimin e gjuhës, dhe nëpërmjet saj, kulturës sonë.

Mënyra e dytë është vendosja e shqipes dhe kulturës sonë në vendin që meriton si pjese e trashëgimisë kulturore botërore. Kjo është e rëndësishme sepse fëmijët mësojnë të shikojnë “të qenit shqiptar,” dmth. gjuhën dhe kulturën e tyre si pjesë të një bote multikulturore, e cila ka më shumë nuance se “gjuha/kultura ime” dhe “gjuha/kultura e tyre.” Për këtë qëllim, Google është burim i rëndësishëm informacioni, por duhet kontrolluar me kujdes për pasaktësi. Google Scholar është më i saktë për t’u përdorur. Po ashtu, përdorimi i portaleve për femije si: scholastic.com dhe ëorldstories.org është me po aq vlerë sepse ofron materiale studimi e leximi për fëmijët dhe mësuesit. Multikulturalizmi u mëson fëmijëve të vlerësojnë kulturat e tjera dhe të kuptojnë se shqipja nuk është e vetme në botë. Fëmijët mësojnë se ka shumë mënyra/fjalë për të shprehur të njëjtën gjë: psh, fjala Bukë thuhet edhe Hljeb – Pan – Brot – Pane – Maize.

Mënyra e tretë është me konkrete dhe ka të bëjë me prezantimin e fëmijëve me një individ që ka lindur në Shqipëri, Kosovë apo kudo tjetër ku shqiptarët jetojnë në trojet e veta jashtë atdheut. Mësuesi përzgjedh një eksperiencë apo temë në të cilën nxënësit janë të interesuar, psh: Çfarë e bën një shqiptar të lumtur apo e kundërta, nga se përbëhet një darkë tradicionale shqiptare apo cilat janë disa nga traditat më të mira të shqiptarëve?

Një seance pyetje e përgjigje është mënyra më e mirë për të angazhuar fëmijët të cilët mund të pyesin lirshëm të ftuarin/ën për të përmbushur kuriozitetin e tyre në lidhje me aspekte të ndryshme të jetës e punës në vendlindje.

Mënyra e katërt është njohja e fëmijëve me kuzhinën tradicionale shqiptare si pjesë e traditës kulinare Ballkanike dhe asaj botërore. Kur dikush provon një ushqim të gatuar ndryshe – edhe nëse përbërësit janë po ato, kjo eksperiencë lë mbresa të pashlyeshme. Psh: Një qofte shqiptare shijon ndryshe nga meatloaf, petulla nuk është njësoj me një donut, byreku është ndryshe nga meat pie apo imam bayildi nuk ka simotër në kuzhinën amerikane. Në këtë mënyre, integrimi i mënyrës së përgatitjes dhe recetave të gatimit në një klasë gjuhe është mënyra më e mire për t’u mësuar nxënësve larminë e traditës gastronomike shqiptare, e cila e ka marre shijen edhe nga perëndimi, por edhe nga lindja. Ç’ka është me e rëndësishme, gatimi u mëson fëmijëve fjalë të reja për fjalorin e tyre, të cilat pasurojnë dhe zgjerojnë diapazonin e njohurive në lidhje me termat e shumëllojshme dhe përdorimin e tyre në gjuhën shqipe.

Mënyra e pestë është përdorimi i mjeteve vizuale në klasë, sepse nxënësit e moshave 6-10 e më tej mësojnë dhe kujtojnë me shpejt ato që shikojnë. Prezantimet me Power Point, në kushtet e mësimit virtual, të hartave gjeografike janë veçanërisht të rëndësishme sepse ato u japin fëmijëve material fillestar vizual për vendosjen gjeografike të Shqipërisë e Kosovës në Gadishullin Ballkanik që është pjesë përbërëse e Mesdheut lindor, dhe më gjerë, Evropës Jug-lindore. Figura apo objekte me ngjyra të theksuara po ashtu kanë efekt me afatgjate në kujtesën e fëmijëve.

Kostumet dhe instrumentet popullore, sikur edhe të paraqitura pjesërisht, psh: një qeleshe, shami koke, jelek, ornament zbukuruese apo çifteli e lahute, i tërheqin fëmijët e moshave të reja dhe janë objekte që ngjallin habi, admirim, dhe krenari sepse janë unike për nga larmia krahinore ashtu edhe mjeshtëria e ndërlikuar artistike që kërkojnë për t’u krijuar. Në të njëjtën mënyrë, paraqitja e simboleve kombëtare, si flamuri me shqiponjën e zezë dykrenare në fushën e kuqe, apo i heroit kombëtar Gjergj Kastriotit apo Nënë Terezës, patriotëve e poetëve të Rilindjes, si Jeronim De Rada, si dhe figurave të mësuesve dhe studiuesve të shqipes, të cilët flijuan jetën për ta ruajtur atë për brezat në vazhdim, duhet të integrohen në mësimin e gjuhës shqipe në shkollat e Diasporës kudo janë. Psh. mësuesi dhe prifti i krishtere, Papa Kristo Negovani, u vra në 1905 nga përfaqësues të Kishës Greke sepse mësonte gjuhën shqipe në Jug të Shqipërisë dhe e futi atë në liturgjinë kishtare, në atë kohë Vilajet i Manastirit, ndërsa Shtjefen Gjeçovi u vra nga nacionalistët serb, ndërkohë që mblodhi, sistemoi dhe botoi Kanunin e Lekë Dukagjinit, i cili është kodi ligjor i sjelljes në Shqipërinë e Veriut. Po ashtu, fëmijëve duhet t’u shpjegohet me durim e këmbëngulje ndarja gjuhësore e shqipes në dialektet Geg e Tosk, si dhe në dialektin e ndërmjetëm të Shqipërisë së Mesme, duke i krahasuar këto ndryshime me gjuhën e njehsuar letrare shqipe, si dhe duke ilustruar këtë shpërndarje dialektore në rajonet gjeografike ku këto gjuhë fliten edhe sot, duke përfshirë Jugun e Italisë dhe Arbëreshët, pjesën e Greqisë veriore dhe Peloponezin, si dhe Kosovën, Malin e Zi e Maqedoninë. Veprat e artit, përfshi këtu piktura, skulptura apo arkitektura, janë një tjetër burim me vlere që mund të paraqitet në mënyrë vizuale dhe me shumë efekt të fëmijët. Këto vepra janë pjesë e rëndësishme e trashëgimisë tonë kulturore të cilat i ngrenë vlerat krijuese dhe gjeninë artistike të popullit tonë në një shkallë ekzaltuese për fëmijët, duke u bere burim krenarie kombëtare dhe mburrje për fëmijët shqiptarë mes traditave te tjera kulturore në komunitetet ku ata jetojnë dhe edukohen. Psh: një pikture e Onufrit ku paraqitet shenjtorja Mari me fëmijën Krisht, e pikturuar në shekullin a 16-të është një përfaqësuese e denjë e artit tonë, bashkë me Dasmën Shkodrane të Kol Idromenos, të punuar në fillim të shekullit të 20-të.

Mënyra e gjashtë është krahasimi i kulturave i cili është i rëndësishëm sepse kur krahasojmë kulturën dhe vlerat tona me ato amerikane apo të kulturave të tjera, i japim studentëve mundësinë të bëjnë dallime, të vlerësojnë dhe të zgjedhin. Psh. një nga traditat e mirëfillta e karakteristike të shqiptarëve është mikpritja dhe përcjellja e mikut deri të dera e shtëpisë kur ai/ajo largohet. Kjo e fundit në kulturën Amerikane nuk ndodh.

Dr. AZETA KOLA është lektore në “Liberal Studies Program” universiteti i New York-u

Titulli origjinal: Disa sugjerime për integrimin e kulturës dhe historisë sonë në mësimin e gjuhës shqipe në shkollat e Diasporës

Kumtese e mbajtur në Seminari e tretë “Arritje dhe perspektiva të mësimit të gjuhës shqipe në Diasporë“ organizuar në New York në shtator.

Të ngjashme