Diaspora
Revista zvicerane shkruan për gratë ambicioze shqiptare të Zvicrës: “Ne nuk fshihemi”
Demokracia
10:04 | 22 Janar 2022

Share:

Në ballinën e revistës mund të shihet simboli tashmë i njohur i shqiptarëve, jo vetëm të Zvicrës, ai i “bërjes së shqiponjës”, me duar të kryqëzuara.

Revista zvicerane “Beobachter” në numrin e saj të dytë për këtë vit,  temën qendrore ja ka kushtuar  gruas shqiptare të Zvicrës, gjegjësisht suksesit të saj në integrim në shoqërinë zvicerane.

Në ballinën e revistës mund të shihet simboli tashmë i njohur i shqiptarëve, jo vetëm të Zvicrës, ai i “bërjes së shqiponjës”, me duar të kryqëzuara. Ndërsa titulli shoqërues është “Integrimi shembullor i zviceraneve kosovare”, që është njëherësh titull edhe i artikullit hyrës.

Aty prezantohen tri aktiviste me rrënjë shqiptare: Qëndresa Hoxha-Sadriu, Ganimete Hasanaj dhe Besa Tatari.

“Zvicra është një vend ku e ke të vështirë të ndihesh si në shtëpinë tënde”, thotë Qëndresa Hoxha-Sadriu, transmeton albinfo.ch. Ajo e njeh shpirtin e popullit zviceran. 27-vjeçarja është këshilltare (asambleiste) komunale, këshilltare kantonale dhe tani është kandidate për ekzekutivin e komunës Opfikon të Cyrihut.

Qëndresa Hoxha-Sadriu

Ajo ka lindur në Zvicër, kishte marrë nota të mira në shkollë dhe i qenë dashur afër 300 aplikime para se të gjente një vend për të kryer shkollimin praktik. E quajnë “Xheni”, pasi që për zviceranët tingëllon më lehtë se “Tschendresa”, siç “deshifrohet” në gjermanishte emri i Qëndresës..

Politikanja e re është njëra nga mës shumë se 260,000 njerëzit në Zvicër, të cilët, sipas një sondazhi të vitit 2016, flasin shqip – rreth gjysma e tyre janë gra. Shumica vijnë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Ata erdhën në Zvicër si “gastarbeiterë” në vitet `80 të shekullit të kaluar ose si refugjatë lufte në vitet 1990. Për një kohë të gjatë ata nuk ishin veçanërisht të njohur, por vetëm si pjesë e emërtimit “Jugos”.

Më tutje revista ka zhvilluar një intervistë të zgjeruar me Shqipe Sylejmanin, e njohur tashmë si gazetare dhe shkrimtare, autore e një libri të shkruar në gjuhën gjermane por me tematikë shqiptare. Romani i saj mban titullin “Bürde & Segen”, që në shqip do të thotë “Barrë dhe bekim”.

Si gazetare dhe autore, Shqipe Sylejmani merret me rolin e shqiptarëve në Zvicër. Ajo, në intervistë zbulon se gjërat po ndryshojnë shumë.

E pyetur nga gazetarja se çfarë barre mban protagonistja e saj, Shqipja, veç tjerash thotë: “Kur njerëzit flasin për integrim, mendojnë vetëm për atë që emigrantët duhet të përshtaten. Ata harrojnë se edhe vendi nga i cili largohesh ka pritshmëri: duhet të ruash gjuhën, të jetosh traditat dhe të mbështesësh familjen që mbetet pas. Por Zvicra kërkon të marrësh një vendim: Nuk mund të jesh zviceran dhe shqiptar në të njëjtën kohë”.

Shqipe Sylejmani

Më tutje, Shqipja thotë se ishte brezi i prindërve të saj që bart barrën më të madhe, transmeton albinfo.ch. “Këtu nuk u lejuan të punonin në profesionet e tyre, as edhe në rastet kur kishin studiuar, gjithë jetën u është dashur të bënin punë të rënda fizike. Ata e jetojnë jetën e tyre në një lloj bote të ndërmjetme, edhe pas 30 vitesh ende flasin për “të drejtën e mikpritjes” në Zvicër, shkojnë në punë edhe kur janë të sëmurë dhe nuk kërkojnë asgjë. Ne fëmijët jemi brenda borxhit të tyre, edhe kjo është një barrë”.

Ndërsa rreth brezit të ri, të cilit i takon ajo, Sylejmani thotë: Ne jemi rritur këtu, ne japim kontributin tonë, ne përkasim këtu – dhe nuk punojmë vetëm në shitje apo ndërtim. Ne i lejojmë vetes të mendojmë më shumë dhe nuk fshihemi”.

Nuk mendoj se kjo vlen vetëm për gratë migrante. Ne femrat jemi lodhur duke u tërhequr vazhdimisht. Ky ndryshim ka prekur edhe shqiptarët. Ne kërkojmë vendin tonë – në Zvicër, në familjet tona, transmeton albinfo.ch. Nëse do të kisha drejtuar një emision televiziv 15 vjet më parë, kjo do të kishte ndezur debate të ashpra; një vajzë shqiptare në publik… Ndërsa sot marr qindra mesazhe nga nënat që shkruajnë se shpresojnë që vajzat e tyre të ndjekin një rrugë në jetë të ngjashme me timen. Edhe në komunitetin shqiptar po zbehet ideja se gruaja kompletohet vetëm me mashkullin.

E pyetur për faktin se ajo si grua 33 vjeçe që nuk është martuar ende, ajo  thotë se “nëna ime nuk është e pa përfshirë në këtë. Ajo thoshte: Nëse do të studiosh, nuk mund të jesh grua (shtëpie). Tek ne nuk martohesh vetëm me partnerin, por edhe me gjithë familjen e tij. Të gjithë kanë pritje nga nusja. Ka pak vend këtu për të bërë karrierë.

Ballina e revistës

Duke folur për pjesën tjetër të titullit të librit, pra, për “bekimin”, Shqipja thotë: “Nuk do t’i kisha pasur kurrë në Kosovë shanset që i kisha dhe i kam këtu, kjo është një bekim. Brezi im mund ta realizojë veten këtu, privatisht dhe profesionalisht. Ky është gjithashtu një bekim për vendin tim të origjinës. Komuniteti i mërguar ka një ndikim të madh në zhvillimin politik dhe ekonomik të Kosovës.
“Përmes arritjeve tona, ne u kemi treguar prindërve tanë se mund të bëjmë gjithçka të mundur, se sakrificat e tyre nuk ishin të kota”.

A nuk është Zvicra një vend që e bën të vështirë të ndjehesh i pranuar?

Kështu ndihem, në fakt. Unë jetoj këtu për 29 vjet. Kur shkruaj një artikull, në rubrikat e komenteve më duhet të lexoj : “Kthehu në vendin tënd” ose “Fluturo në shtëpi, shqiponjë!”. Çfarëdo që të arrij, do të mbetem shqiptare. Unë jam pajtuar me këtë. Shkrimi më ka ndihmuar, thotë Shqipja, transmeton albinfo.ch.

Titujt negativë në media kanë përcaktuar imazhin e shqiptarëve në Zvicër për një kohë të gjatë. Ndërsa ju thoni se shqiptarët janë një nga grupet më të dashura të emigrantëve sot. Në çfarë e bazoni këtë supozim?, është pyetja e radhës për Shqipe Sylejmanin.

“Këtë e përjetoj në punën time. Sipas meje, ndryshimi filloi me sukseset e futbollistëve me rrënjë kosovare. Kur kam parë fëmijët e parë zviceranë të veshur me fanellat e Shaqirit dhe Xhakës, e kam kuptuar se diçka do të ndryshonte. Si kolumniste, unë shkruaj për çështje që kanë të bëjnë me diasporën – ato lexohen shumë mirë. Si autore mund të shoh edhe kush e blen librin tim: më shumë zviceranë se sa shqiptarë.

Ndërkohë fjalën e kanë politikanët, shkrimtarët dhe artistët e rinj me rrënjë kosovare. Çfarë shkakton kjo tek ju?

Kam respektin më të madh për çdo individ. Të gjithë kemi luftuar në dy fronte. Nëpërmjet arritjeve tona u kemi dëshmuar prindërve se mund të bëjmë gjithçka të mundur, se sakrificat e tyre nuk ishin të kota. Kur shoh se kush më dërgon mesazhe sot pas paraqitjeve televizive, ndihem krenare, përcjell albinfo.ch. Ato janë gra me emra kosovarë (shqip): mjeke, menaxhere të burimeve njerëzore, eksperte komunikimi, psikologe. Ky nuk është më një përjashtim, është standard. Dhe shumë të tjera që do të vijnë!

Të ngjashme