Lajme
Mbledhja e KQZ-së përfundon me tensione mes Dakës dhe LVV-së
Demokracia
15:28 | 09 Shkurt 2021

Share:

Me tensione ka përfunduar mbledhja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) pas deklaratave të përfaqësuesit të Lëvizjes Vetëvendosje, Alim Rama, i cili përmendi deklaratën e Kryetares së KQZ-së, Valdete Dakës se “është personi më i urryer”.

Rama tha se video-mesazhi për t’u bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në zgjedhje, nuk duhet të bëhet nga një person që e ka humbur kredibilitetin dhe që e konsideron vetën person të urryer, shkruan Demokracia.com.

“Ju vet kryesuese keni deklaruar se jeni personi më i urryer në Kosovë. Nuk po e shoh të arsyeshme që tash video-ftesa të bëhet nga një person që e ka humbur kredibilitetin. Unë kisha kërkuar që KQZ-ja si e tërë të bëj thirrje votuesve për zgjedhje”, ka thënë Rama.

Daka reagoi pas deklarimit të Ramës duke i thënë se “A e keni pyetur ndonjëherë vetën se pse kam deklaruar ashtu”.

“Po sepse ju vet votuat që mos t’ia lejoni qytetarëve që të votojnë të shtunën apo t’i dërgojnë votat të shtunën”, ka thënë Rama.

Pas kësaj, Daka u largua nga mbledhja, ndërsa Sami Kurteshi reagoi pas këtij veprimi duke e cilësuar si mënyrë qyqare.

“Kjo është mënyrë qyqare e mbylljes së një mbledhje. Është një pyetje që u bë. Nëse e bën një pyetje atëherë duhet ta dëgjosh përgjigjen. Ti vet ke deklaruar që je personi më i urryer”, ka thënë Kurteshi.

Më këto deklarata, mbledhja e KQZ është mbyllur, derisa anëtarët e VV kanë vazhduar me diskutime në sallë.

Në mbledhjen e sotme të KQZ-së janë akredituar edhe mbi 6 mijë vëzhgues nga disa subjekte politike, media dhe OJQ. Ndërsa, numri total deri tash i vëzhguesve të akredituar ka arritur rreth 30 mijë për monitorimin e zgjedhjeve më 14 shkurt.

KQZ-ja sot ka miratuar edhe dokumentin “Trendet zgjedhore në Republikën e Kosovës 2009-2019”./Demokracia.com

Të ngjashme