Lajme
Tragjedia në Shkodër, nëna me tre fëmijët nuk u hodhën nga ura, por dyshohet se u mbytën në bregun e lumit Buna
Demokracia
16:30 | 10 Maj 2024

Share:

Alma Arrazi, së bashku me tre fëmijët e saj mbrëmjen e 2 majit, nuk u hodh nga ura e re e Bunës. Kjo tashmë është konfirmuar nga grupi hetimor, ndërkohë që Report TV mëson se 39-vjeçarja me tre fëmijët i është drejtuar fundit të urës, rrugë që të çon në rrugën nacionale Shkodër – Muriqan.

Prokuroria shkoi drejt kësaj piste, pasi trupi i vajzës së dytë u gjet gjatë kërkimeve në zonën e Dajlanit rreth 100 metra nga ura e Bunës.

Tashmë për hetuesit është e qarte se Alma Arrazi e ka kryer veprimin ekstrem poshtë urës së re të Bunës, në anë të bregut.

Sa i takon hetimeve të deritanishme për tragjedinë që ka tronditur opinionin publik, ku nëna mbyti të vegjlit e saj e më pas veten dyshimet janë tek bashkëshorti i cili mbahet në paraburgim me akuzën “Shkaktim i vetëvrasjes”.

Telefoni i Erdgys Arrazit po ekzaminohet në laboratorin kriminalistik të Tiranës për të vërtetuar nëse ky i fundit ka qenë pranë Almës dhe tre fëmijëve në kohën kur dyshohet të jetë kryer vetëmbytja.

Për analizimin e qelizave telefonike janë kërkuar të dhëna nga kompania celulare, si dhe po shihen mesazhet e komunikimet e tij mbrëmjen e 2 majit. Ndërsa telefoni i të ndjerës nuk është gjetur në vendin e dyshuar te ngjarjes. Në shkurre janë gjetur kukulla dhe ambalazhe ushqimore, por ende s’ka përgjigje nga laboratori shkencor nëse ato i përkasin të ndjerëve.

Nga ana tjetër, personi kyç deri tani për hetuesit është kunata e Almës, Valentina Arrazi, e cila shihet në pamjet e bëra publike. Në dëshminë e parë, Valentina Arrazi ka thënë se Alma është ndarë me të duke i thënë se do të shkonte tek i vëllai në Durrës, për tu qetësuar pas debateve me bashkëshortin. Hetuesit thanë se ajo do të merret sërish në pyetje me qëllim nxjerrjen e të tjera të dhënave që mund të zbardhin këtë ngjarje tragjike.

Të ngjashme