Lajme
Marrëveshja me Italinë për emigrantët, Kushtetuesja zbardh vendimin – i hapet rruga ratifikimit
Demokracia
17:13 | 19 Shkurt 2024

Share:

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë këtë të hënë të 19 shkurtit ka publikuar vendimin e arsyetuar për marrëveshjen për emigrantët mes Qeverisë shqiptare dhe asaj italiane.

Në vendim theksohet se, pavarësisht faktit që kampet do të ndërtohen në tokë shqiptare, vendi ynë do të ketë juridiksion territorial mbi to.

Tanimë i hapet i rruga Kuvendit që ta ratifikojë marrëveshjen.

Institucioni më i lartë i drejtësisë në vend ka argumentuar shkurtimisht se vendimi është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, pas dëgjesave dhe kësisoj ajo është e vlefshme dhe mund të votohet në Parlament.

Kështu në vendim, Protokolli nuk cakton kufij territorialë dhe as nuk ndryshon integritetin territorial të Republikës së Shqipërisë, ndaj ai nuk përbën marrëveshje që ka të bëjë me territorin në aspektin fizik.

Së dyti, Gjykata ka vlerësuar se në dy zonat, që vepron Protokolli për Migracionin, zbatohet e drejta shqiptare, përveç të drejtës italiane.

Ajo konstatoi se e drejta ndërkombëtare e detyrueshme për Shqipërinë, që lidhet me çështjet e migracionit dhe azilit është po ashtu e zbatueshme edhe nga autoritetet italiane për shkak të ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare edhe prej Republikës së Italisë.

Nën këtë analizë, Gjykata nuk vuri në dyshim ekzistencën e përgjegjësisë së shtetit shqiptar për çështjet që rregullon Protokolli për Migracionin, e cila buron jo vetëm nga normat kushtetuese, por edhe nga e drejta ndërkombëtare që rregullon përgjegjësinë e shteteve në kuadër të zbatimit ekstraterritorial të saj.

Në këtë pikëpamje, ajo konstatoi se për të drejtat dhe liritë e njeriut vepron një juridiksion i dyfishtë, që do të thotë juridiksioni italian në dy zonat në fjalë nuk përjashton juridiksionin shqiptar.

Gjithashtu, Gjykata Kushtetuese arriti edhe në përfundimin tjetër se Protokolli nuk krijon të drejta dhe liri të reja kushtetuese dhe as nuk sjell kufizime shtesë në të drejtat dhe liritë ekzistuese të njeriut.

Duke pasur parasysh që nga njëra anë çështja kushtetuese në shqyrtim përbën risi në jurisprudencën shqiptare, në veçanti për konceptin e marrëveshjes ndërkombëtare në drejtim të aspektit juridiksional të lidhur me sovranitetin, dhe nga ana tjetër Protokolli për Migracionin në asnjë dispozitë të tij nuk shprehet se Qeveria Shqiptare zhvishet nga ushtrimi i juridiksionit mbi territorin shqiptar, Gjykata analizoi nëse Qeveria Shqiptare kishte plotfuqitë e duhura për negociimin dhe nënshkrimin e Protokollit në fjalë.

Në këtë drejtim, Gjykata vlerësoi se Traktati i Miqësisë dhe Bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë përbën një marrëveshje ndërkombëtare dhe përbën bazë të mjaftueshme që Protokolli për Migracionin të negociohej me autorizim të Kryeministrit dhe plotfuqi të lëshuara nga Ministri i Punëve të Jashtme, si dhe të nënshkruhej prej vetë Kryeministrit.

Të ngjashme