Lajme
“Lufta” për arin e zi: Qeveria me vendim për çmimet, naftëtarët kërcënojnë me mbyllje të pompave
Demokracia
12:04 | 09 Qershor 2022

Share:

“Lufta” për naftën dhe çmimet e saj tashmë ka nisur në Kosovë. Qeveria ka paralajmëruar vendim lidhur me rregullimin e çmimeve të naftës dhe benzinës. Kurse, naftëtarët kanë thanë se do t’i mbyllin pikat e derivateve në shenjë proteste. Ka kërkesa që të hiqet edhe akciza apo TVSH-ja për derivatet.

Çmimet e naftës dhe benzinës kanë arritur në nivele rekord këto ditë në Kosovë dhe për këtë shkak,  Qeveria pritet ta bëjë së shpejti një ndërhyrje.

Sipas një vendimi që pritet të merret, 2 deri në 3 centë do të përcaktohet fitimi për një litër naftë për shitësit me shumicë, ndërsa 6-10 centë për shitësit me pakicë.

“Pritet që 2-3 centë do të jetë fitimi për një litër naftë për shitësit me shumicë, ndërsa 6-10 centë do të jetë fitimi për litër për shitësit me pakicë. Ndërsa, 10 centë për litër do të jetë fitimi për shitje me pakicë për subjektet që nuk janë importuese”.

Vendimi parashihet të jetë për një periudhë 90-ditore dhe më këtë vendim është propozuar që çmimi i naftës të zbritet 10 deri 12 centë.

Edhe Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka njoftuar dje se është duke punuar për vendimin e ri për rregullimin e çmimeve të naftës, me të cilin do t’i “mbrojë konsumatorët dhe konkurrencën sipas ligjit”.

“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë është duke punuar për vendimin e ri për rregullimin e çmimeve të naftës që do të mbrojë konsumatorët dhe konkurrencën sipas ligjit. Ligji i ri i naftës parasheh që Qeveria të nxjerrë akt nënligjor për rregullimin e çmimeve të naftës dhe masa të tjera mbrojtëse”, thuhet në njoftim.

Sipas MINT, vendimmarrja pritet të ndodhë shpejt, duke thënë se drafti tashmë është gati dhe po punohet që të procedohet sa më shpejt për miratim në Qeveri.

Por, kjo nuk po u pëlqen fare shitësve të derivateve, shkruan Demokracia.com.

Naftëtarët janë mbledhur sot për të diskutuar lidhur me këtë situatë. Ata po e shqyrtojnë mundësinë e mbylljes së pikave të derivateve në shenjë proteste pas vendimit të paralajmëruar të Qeverisë.

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani, ka deklaruar se rritja e çmimeve në bursë ka bërë që në Kosovë të shtrenjtohet nafta dhe benzina.

Vendimi që pritet ta marrë Qeveria cilësohet shkatërrues nga naftëtarët. Berjani ka thënë se kompanitë e karburanteve po punojnë me humbje edhe aktualisht, pasi Qeveria mori vendim të mos iu lë më shumë se 6% fitim.

“Ju lutem. Duhet ta kuptoni se ne nuk i prodhojmë derivatet e naftës. Çmimet vijnë nga bursa BERZA dhe OPEC. Çmimi furnizues është 1.75 për litër dizel, cka do të thotë se po punojmë me marzhë të fitimit në humbje. Vendimin e kemi respektuar. Ka qenë gabim fatal ai vendim ku shumica e kompanive janë drejt falimentimit”, tha ai në RTK.

Çmimi i naftës do të ulet, Qeveria pritet të marrë një vendim

Berjani kërkoi që Qeveria ta heqë akcizën për derivatet dhe jo ta marrë vendimin që u paralajmërua, që sipas tij përcakton “një marzhë që i shkatërron kompanitë”.

“Nëse don t’i lë 5 mijë punëtorë rrugëve… Ju lutem, me 4-5 centë fitim nuk mund të punojë askush. Çdo pompë e benzinës i ka deri 15-20 punëtorë. Me këto para nuk mund t’i mbajë ata”, tha Berjani.

Këtë të mërkurë, çmimi i naftës Kosovë arriti në nivele rekorde, duke shkuar në 1.92 euro.

Më 31 maj 2022 ka skaduar vendimi i Qeverisë së Kosovës që ua kufizonte çmimet shitëse maksimale për shitjen me shumicë e pakicë të derivateve të naftës.

Mungesa e kontrollit nga shteti po krijon hapësirë për abuzime te tregtarët, duke i ngritur çmimet disa herë brenda ditës.

Demokracia.com të martën i ka dërguar pyetje Qeverisë së Kosovës lidhur me ndonjë vendim të ardhshëm, por nuk ka marrë përgjigje.

Profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Nagip Skenderi, për Demokracia.com ka konsideruar se çmimet e naftës janë rritur në Kosovë jashtë mase.

“Konsideroj se çmimet e naftës dhe derivateve të saj në Kosovë janë duke u rritur jashtë mase, që aspak nuk përkon me nivelin e standardit ekonomik dhe social në vendin tonë, gjë që e vështirëson pashmangshëm standardin social të popullatës tek ne. Mendoj se ngritja e çmimit të naftës dhe derivateve të saj po shkon paralel me nivelin e çmimeve që vendet e BE-së janë duke u përballur, edhe pse dihet se çfarë diference të standardit social kemi”, ka thënë Skenderi për Demokracia.com.

Sipas tij, çmimet sot kanë arritur rekord në këtë fushë.

“Mendoj se Qeveria e Kosovës, konkretisht MTI-ja do të duhet shumë urgjentisht të rregullojnë bazamentin ligjor në këtë fushë. Dhe të kenë një kontroll të plotë në harmonizimin e çmimeve të naftës dhe derivateve të saj, sepse kemi abuzim me çmime të këtyre produkteve nga kompanitë që ofrojnë shitjen e naftës dhe derivateve të saj, duke u harmonizuar ndërmjet vete rreth përcaktimit të çmimeve, njëjtë siç e bënë që sa kohë sistemi bankar i nivelit dytë në Kosovë rreth përcaktimit të normave të kamatës në depozitë dhe kredi dhënie”, tha ai.

Deri më tani, Kosova nuk ka ndërmarrë asnjë vendim për ta hequr akcizën apo TVSH-në për derivatet, që do të ndikonte në uljen e çmimit.

Institucioni i vetëm që heton marrëveshjet në mes operatorëve, Autoriteti i Konkurrencës është jo funksional në mungesë të bordit. Pozita ende nuk ka vendosur që këtë autoritet ta bëjë funksional. /Demokracia.com/

Mungesa e kontrollit të shtetit, operatorët ngrisin çmimet e derivateve në “qiell”

Të ngjashme