Lajme
Çmimi i naftës do të ulet, Qeveria pritet të marrë një vendim
Demokracia
09:39 | 09 Qershor 2022

Share:

Qeveria e Kosovës pritet që të marrë vendim lidhur me përcaktimin e mënyrës së rregullimit të çmimeve të derivateve. Parashikohet se çmimi do të ulet deri në 12 centë.

Çmimi i naftës dhe benzinës pritet që të ulet ditëve në vijim.

Në vendimin që do ta marrë Qeveria e Kosovës këto ditë, thuhet se do të kufizohet fitimi për litër të derivateve.

“Pritet që 2-3 centë do të jetë fitimi për një litër naftë për shitësit me shumicë, ndërsa 6-10 centë do të jetë fitimi për litër për shitësit me pakicë. Ndërsa, 10 centë për litër do të jetë fitimi për shitje me pakicë për subjektet që nuk janë importuese”, thuhet ndër të tjera në këtë vendim.

Vendimi parashihet të jetë për një periudhë 90 ditore dhe më këtë vendim është propozuar që çmimi i naftës të zbritet 10 deri 12 centë.

Këtë vendim po e kundërshtojnë Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës. Kreu i kësaj shoqate ka thënë se me këtë vendim do të dëmtohen bizneset.

“Shpresoj që kryeministri nuk do ta nënshkruaj, sepse është i dëmshëm për bizneset”, ka thënë Fadil Berjani për RTK.

Berjani gjatë ditës së djeshme po ashtu ka thënë se kompanitë e karburanteve në Kosovë po punojnë me humbje, prej vendimit të fundit të qeverisë që iu lë më së shumti 6% fitim. shkruan Demokracia.com.

“Ju lutem. Duhet ta kuptoni se ne nuk i prodhojmë derivatet e naftës. Çmimet vijnë nga bursa BERZA dhe OPEC. Çmimi furnizues është 1.75 cent për litër dizel, çka do të thotë se po punojmë me marzhë të fitimi në humbje. Vendimin e kemi respektuar. Ka qenë gabim fatal ai vendim ku shumica e kompanive janë drejt falimentimit”, shtoi ai.

Këtë të mërkurë, çmimi i naftës Kosovë arriti në nivele rekorde, duke shkuar në 1.92 euro.

Ndryshe, pasi çmimet e derivateve në vend arritën në nivel rekord, ka reaguar edhe Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Nga kjo Ministri kanë thënë se janë duke punuar për vendimin e ri për rregullimin e çmimeve të naftës “që do të mbrojnë konsumatorët dhe konkurrencën sipas ligjit”.

Mungesa e kontrollit të shtetit, operatorët ngrisin çmimet e derivateve në “qiell”

“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë është duke punuar për vendimin e ri për rregullimin e çmimeve të naftës që do të mbrojë konsumatorët dhe konkurrencën sipas ligjit. Ligji i ri i naftës parasheh që Qeveria të nxjerrë akt nënligjor për rregullimin e çmimeve të naftës dhe masa të tjera mbrojtëse”, thuhet në njoftim.

Sipas MINT, vendimmarrja pritet të ndodhë shpejt. Thonë se drafti tashmë është gati dhe se po punohet që të procedohet sa më shpejt për miratim në Qeveri.

“MINT ka përgatitur tashmë draftin dhe po zhvillon konsultimet në mënyrë intensive me hisedarë, në mënyrë që sa më parë ta procedojë për miratim në qeveri. Vendimmarrja pritet të ndodhë shpejt. Në ndërkohë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë po vazhdon monitorimin e tregut”.

Më 31 maj 2022 ka skaduar vendimi i Qeverisë së Kosovës që ua kufizonte çmimet shitëse maksimale për shitjen me shumicë e pakicë të derivateve të naftës.

Mungesa e kontrollit nga shteti po krijon hapësirë për abuzime te tregtarët, duke i ngritur çmimet disa herë brenda ditës.

Demokracia.com të martën i ka dërguar pyetje Qeverisë së Kosovës lidhur me ndonjë vendim të ardhshëm, por nuk ka marrë përgjigje. /Demokracia.com/

Të ngjashme