Lajme
Mungesa e kontrollit të shtetit, operatorët ngrisin çmimet e derivateve në “qiell”
Demokracia
19:35 | 08 Qershor 2022

Share:

Më 31 maj 2022 ka skaduar vendimi i Qeverisë së Kosovës që ua kufizonte çmimet shitëse maksimale për shitjen me shumicë e pakicë të derivateve të naftës.

Deri me këtë datë, derivatet u shitën me çmim deri 1 euro e 70 centë. Ndërsa, pas kësaj date, çmimi i derivateve u ngrit në 1 euro e 82 centë për litër, raporton Demokracia.com.

Mungesa e kontrollit nga shteti po krijon hapësirë për abuzime te tregtarët, duke i ngritur çmimet disa herë brenda ditës.

Demokracia.com të martën i ka dërguar pyetje Qeverisë së Kosovës lidhur me ndonjë vendim të ardhshëm, por nuk ka marrë përgjigje.

Ndërsa, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë gjatë ditës së mërkurë ka dalë me një sqarim, duke thënë se po e monitorojnë tregun dhe janë duke punuar në një vendim të ri.

“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë është duke punuar për vendimin e ri për rregullimin e çmimeve të naftës që do të mbrojë konsumatorët dhe konkurrencën sipas ligjit. Ligji i ri i naftës parasheh që Qeveria të nxjerrë akt nënligjor për rregullimin e çmimeve të naftës dhe masa të tjera mbrojtëse”, thuhet në sqarimin për media të kësaj ministrie.

Profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Nagip Skenderi, për Demokracia.com ka konsideruar se çmimet e naftës janë rritur në Kosovë jashtë mase.

“Konsideroj se çmimet e naftës dhe derivateve të saj në Kosovë janë duke u rritur jashtë mase, që aspak nuk përkon me nivelin e standardit ekonomik dhe social në vendin tonë, gjë që e vështirëson pashmangshëm standardin social të popullatës tek ne. Mendoj se ngritja e çmimit të naftës dhe derivateve të saj po shkon paralel me nivelin e çmimeve që vendet e BE-së janë duke u përballur, edhe pse dihet se çfarë diference të standardit social kemi”, ka thënë Skenderi për Demokracia.com.

Sipas tij, çmimet sot kanë arritur rekord në këtë fushë.

“Mendoj se Qeveria e Kosovës, konkretisht MTI-ja do të duhet shumë urgjentisht të rregullojnë bazamentin ligjor në këtë fushë. Dhe të kenë një kontroll të plotë në harmonizimin e çmimeve të naftës dhe derivateve të saj, sepse kemi abuzim me çmime të këtyre produkteve nga kompanitë që ofrojnë shitjen e naftës dhe derivateve të saj, duke u harmonizuar ndërmjet vete rreth përcaktimit të çmimeve, njëjtë siç e bënë që sa kohë sistemi bankar i nivelit dytë në Kosovë rreth përcaktimit të normave të kamatës në depozitë dhe kredi dhënie”, tha ai.

Skenderi ka kërkuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe Qeveria e Kosovës që të ndërmarrin masa, sepse po rrezikohet standardi social i popullatës dhe mund të ketë protesta.

“Është koha e fundit që MTI të reflektojë në këtë drejtim, në mënyrë që të stopohen maniverzimet e naftëtarëve në këtë drejtim, sepse kjo është duke ndikuar drejtpërdrejtë edhe ngritjen e çmimeve tjera të produkteve tjera dhe shërbimeve që janë esenciale për CPI (Shportën Konsumatore të Qytetarit), gjë që është duke e vështirësuar dhe rrezikuar tej mase standardin social të popullatës, që shumë shpejt mundet që Qeveria të përballet edhe me protesta sociale (sepse nuk kemi rritje pagash e as ngritje të ‘pagave sociale për kategoritë sociale’ që janë në numër të konsiderueshëm në Kosovë). Konsideroj se Qeveria duhet urgjentisht të konsolidojë dhe kthejë ligjshmërinë ekonomike në vend, e mos të merret me ‘punë sekondare që edhe presin kohë’”, ka thënë Skenderi për Demokracia.com.

Ai thotë se çmimet momentale në Kosovë janë të ngjashme me çmimet e tregjeve evropiane.

“Sepse, çmimet momentale në Kosovë të këtyre produkteve janë të krahasueshme me çmimet në tregjet evropiane, që shumë shpejt mund të sjellë ekonominë e vendit tonë dhe bizneset para një kolapsi ekonomik e social”, tha ai.

Deri më tani, Kosova nuk ka ndërmarrë asnjë vendim për ta hequr akcizën apo TVSH-në për derivatet, që do të ndikonte në uljen e çmimit.

Institucioni i vetëm që heton marrëveshjet në mes operatorëve, Autoriteti i Konkurrencës është jo funksional në mungesë të bordit. Pozita ende nuk ka vendosur që këtë autoritet ta bëjë funksional. /Demokracia.com/

Të ngjashme