OpEd
Liria duhet të mbështetet më shumë se tirania
Demokracia
18:41 | 17 Prill 2023

Share:

Nga: Simon McDonald, Christoph Heusgen, Stéphane Abrial, Jim Jones dhe Stefano Stefanini / The Guardian

Kur Vladimir Putini i urdhëroi trupat e veta që ta mësyjnë Ukrainën më 24 shkurt 2022, në mënyrë flagrante ai e shkeli ligjin ndërkombëtar dhe marrëveshjen për kartën e OKB-së. Duke mohuar të drejtën e Ukrainës për të ekzistuar, përdori forcën masive në përpjekjen për ta fshirë nga harta e Evropës, duke lënë gjurmë – gjithnjë të shtuara – të abuzimeve të rënda të të drejtave të njeriut dhe të krimeve të luftës që ende vazhdojnë të kryhen. Edhe një vit më vonë, Putini nuk ka hequr dorë nga objektivi i tij për ta marrë nën kontroll Ukrainën; ai beson se ka më shumë fuqi se Ukraina dhe se koalicioni ndërkombëtar që e mbështet Ukrainën.

Nëse do t’ia dilte mbanë, Putini pa dyshim do t’i hidhte sytë kah Moldavia dhe ndoshta kah shtetet baltike, duke e shtuar rrezikun e një konfrontimi të drejtpërdrejtë midis Rusisë dhe NATO-s. Fitorja ruse në Ukrainë do ta minonte rendin ndërkombëtar të bazuar në rregullat dhe në parimet themelore të integritetit territorial dhe të sovranitetit kombëtar, duke krijuar një precedent të rrezikshëm për pushtimin territorial diku tjetër.

Megjithatë, nëse vendet që mbështesin Ukrainën e miratojnë strategjinë e duhur dhe mbeten të palëkundura në ekzekutimin e kësaj strategjie, Putini do të dështojë; ai po e nënvlerëson – krejtësisht – fuqinë e lirisë. Putini po përballet me kundërshtime të guximshme nga forcat pro-demokratike: në Ukrainë po se po, por edhe në Bjellorusi, në Moldavi, në Gjeorgji, në Armeni, në Azerbajxhan, në Azinë Qendrore dhe madje edhe në vendin e vet. NATO-ja është e bashkuar dhe më e fortë se para konfliktit, siç është edhe BE-ja. Aleatët rusë, si Irani dhe Koreja e Veriut, janë politikisht dhe ushtarakisht më të dobëta; Kina nuk është e gatshme të ofrojë mbështetje të plotë për qëllimet e luftës të Putinit. Liria ka tërheqje më të fortë sesa tirania.

Fitorja nuk është e paracaktuar. Liria duhet mbrojtur; luftëtarët ukrainas të lirisë duhet të mbështeten me të gjitha mjetet – përfshirë edhe mjetet ushtarake. Në konferencën e sigurisë së Mynihut të këtij viti, udhëheqësit transatlantikë pohuan se Ukraina “duhet ta fitojë këtë luftë”. Por, deklarata e mbështetjes së palëkundur nuk është e mjaftueshme, ndërsa veprimet ende nuk arrijnë të përputhen me retorikën. Nivelet aktuale të mbështetjes ushtarake – në rritje dhe në frenim – do të prodhojnë vetëm ngërç në fushën e betejës.

Putini e llogariti gabimisht çdo aspekt të luftës, përpara se të niste pushtimin në shkallë të plotë në vitin e kaluar. Ai mendonte se ushtria e tij ishte e fortë, se Kina është partner i qëndrueshëm, se Perëndimi është i ndarë dhe se Ukraina është e përbuzur. Nuk mund të kishte gabuar më shumë. Tashti, shpresa e vetme e tij është që vendosmëria e tij të jetë më e madhe se e kundërshtarëve, dhe ai mund të fitojë në një luftë të zgjatur. Duhet t’ia vërtetojmë edhe një herë se e ka gabim.

Ne duhet të jemi “të gjithë pro” mbështetjes tonë për Ukrainën. Koalicioni i shteteve që mbështesin Ukrainën ka treguar një performancë mbresëlënëse, por nuk është koha për vetëkënaqësi. Duhet t’i sigurojmë armët dhe municionet që i duhen Ukrainës për të luftuar, dhe ta mposhtim luftën e agresionit të Putinit. Sa më shpejt që Putini e kupton se nuk do t’i arrijë objektivat e veta në Ukrainë, aq më shpejt mund të arrihet paqja dhe aq më shpejt do të marrin fund vuajtjet e popullit ukrainas. Ukraina ka nevojë për forcën e kombinuar të tankeve, të raketave me rreze më të gjatë veprimi dhe të aeroplanëve për të kryer një kundërsulm të suksesshëm, duke ia hapur rrugën fitores së Ukrainës dhe negociatave të paqes me kushte të pranueshme.

Kur flasim për negociatat e mundshme të paqes, duhet të jemi të kujdesshëm ndaj rolit të Kinës në këtë konflikt. Pekini tashmë po i ndihmon përpjekjet luftarake të Putinit, duke ofruar ndihmë dhe duke e lejuar Korenë e Veriut që t’i transferojë armët në Rusi. Është gjithnjë e më i vërtetë parashikimi i John McCainit i vitit 2014, se Rusia do të shërbejë si “stacion karburanti” për Kinën; gjatë vizitës së fundit të Xi Jinpingut në Moskë, Rusia dukej e kënaqur tek e luante rolin e partnerit të vogël të Kinës. Por, nuk duhet të kemi iluzione: duke qenë të kujdesshëm ndaj demokracisë dhe Rusisë si një shoqëri e hapur, Kina ka çdo interes që ta mbajë Putinin në pushtet, transmeton Telegrafi.

Për t’iu kundërvënë Moskës dhe Pekinit, duhet të jemi shumë më aktivë jashtë komunitetit transatlantik. Në shumë pjesë të botës, Kina dhe Rusia janë të suksesshme në bindjen e qeverive dhe të publikut për narrativat që i kanë, duke e fajësuar NATO-n për luftën në Ukrainë dhe duke i akuzuar aleatët e ShBA-së dhe evropianët për praktikat neokoloniale dhe standardet e dyfishta në politikat e tyre të jashtme. Nuk do të mjaftojnë veprimet që bëhen vetëm një herë. Në vend të kësaj, duhet ta hedhim në qendër të vëmendjes aktivitetin keqdashës të Rusisë dhe të Kinës dhe të punojmë në partneritet me vendet në Afrikë, në Amerikën Latine dhe në Azi – duke u angazhuar vazhdimisht me ta, duke vazhduar t’i adresojmë dështimet e së kaluarës dhe duke i përmbushur premtimet që kemi dhënë, duke u përfshirë në financimin e çështjeve klimatike dhe që institucionet ndërkombëtare të jenë gjithëpërfshirëse. Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, shumë organe qeveritare u bënë jostrategjike. Për të konkurruar me sukses në këtë epokë të re të tensioneve të shtuara gjeopolitike, duhet t’i reformojmë ministritë tona të Jashtme, si dhe agjencitë e ndihmës për zhvillim dhe për tregti, dhe të afrohemi më shumë me përpjekjet e tyre.

Nëse demokracitë e botës përmbahet dhe, nëse është e nevojshme, mbrohen kundër Rusisë dhe Kinës, ekonomitë e mëdha si Gjermania duhet ta japin pjesën që u takon. Nuk është më e pranueshme që Gjermania dhe Italia të mos e shpenzojnë dy përqindëshin e PBB-së për mbrojtje; buxheti i vitit 2024 do të jetë provë lakmusi. Në lidhje me Francën, lëvizja e industrisë së mbrojtjes drejt një “ekonomie lufte”, siç kërkohet nga qeveria franceze, duhet me të vërtetë të ndiqet. Në të njëjtën mënyrë, Evropa duhet t’i përmbush premtimet e veta të vjetra për forcimin e aftësive evropiane të mbrojtjes. Hapat e fundit, si Busulla Strategjike e BE-së ose mbështetja e përbashkët ushtarake e BE-së për Ukrainën, bëjnë me dije për drejtimin e duhur, por duhet bërë më shumë. Kontributi më i fuqishëm evropian është gjithashtu i nevojshëm për të ndihmuar në ruajtjen e mbështetjes dypalëshe të ShBA-së për Ukrainën. Putini mbështetet në “lodhjen ndaj Ukrainës” në ShBA; atij duhet t’ia dëshmojnë se e ka gabim.

Në frontin ekonomik, BE-ja, ShBA-ja dhe partnerët ndërkombëtarë zbatuan sanksione goditëse me një shpejtësi të paparë; ato ndjeshëm i degraduan aftësitë ushtarake të Rusisë dhe i dobësuan perspektivat e saj ekonomike. Por, si një qendër financiare globale, Mbretëria e Bashkuar ka shumë më shumë punë për të bërë në zbatimin e sanksioneve, pasi regjimi aktual i sanksioneve ka ende shumë vrima. Duke i rritur flukset e kundërta të gazit nga jugu në veri – nga furnizuesit në të gjithë Mesdheun – Italia mund të ndihmojë në forcimin e sigurisë evropiane të energjisë dhe në zbutjen e efekteve të valëzuara të luftës energjetike ruse.

Putini e filloi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, me besimin e gabuar se Ukraina do të mposhtej brenda pak javësh. Më shumë se një vit më vonë, uniteti dhe qëndrueshmëria e Ukrainës përballë agresionit të Rusisë e ka treguar fuqinë e jashtëzakonshme të vendit. Në vend që të sundojë një perandori, Putini është bërë i dëbuar në aspektin ndërkombëtar, duke u përballur me një urdhërarrest për krimet e tij të luftës – të lëshuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale. Megjithatë, për ta vazhduar luftën për liri dhe për ta mposhtur Putinin, Ukraina ka nevojë për më shumë mbështetje. Partnerët e Ukrainës duhet të shtohen; kur liria furnizohet më mirë se tirania, fitorja e saj është e siguruar.

Të ngjashme
OpEd • 27 Prill 2024