Lajme
Larja e veturave dhe xhipave | Ministria e Hekuran Muratit i çon 15 mijë euro te kompania me 1 punëtor
Demokracia
16:23 | 11 Janar 2024

Share:

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka dhënë një tender në vlerë të 15 mijë eurove për larje të veturave. Në njoftimin e bërë është treguar se për pastrim do të dërgohen 42 vetura të ndryshme dhe 5 xhipa. Por, krejt kjo punë i është besuar vetëm një punëtori.

Veturat që përdoren nga punonjësit e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, e cila drejtohet nga Hekuran Murati, do të dalin në rrugë më të pastra.

Për larjen dhe mirëmbajtjen e tyre është dhënë edhe një tender në vlerë të 15 mijë eurove, shkruan Demokracia.com.

Kontrata mes kompanisë fituese dhe ministrisë është nënshkruar sot.

“Përshkrimi i shkurtër: Shërbimet e Autolarjes për veturat zyrtare të MFPT-së dhe NJIF-K. Data e dhënies së kontratës 10.01.2024. Data e planifikuar e nënshkrimit të kontratës 11.01.2024. Numri i tenderëve të pranuar: 4. Emri dhe adresa e operatorit ekonomik, të cilit i është dhënë kontrata Emri zyrtar: PRICLEAN L.L.C. Vlera e parashikuar e kontratës për periudhën 24 muaj është 15,800 euro”, thuhet në njoftimin e shpallur.

Tutje është treguar se 47 vetura të llojeve të ndryshme do të dërgohen në autolarje, varësisht nga nevoja.

“Gjithsejtë duhet te bëhet larja e veturave zyrtare të MFPT, dhe Njësia për Inteligjence Financiare. Të MFPT janë 42 vetura dhe Njësisë për Inteligjencë Financiare janë 5 vetura – gjithsejtë 47 vetura. Në  tabele tek përshkrimi i çmimit do epet çmimi për njësi për larje dhe larja e automjeteve do të bëhet kur do që paraqitet nevoja nga njësia e kërkesës. Vlera e përgjithshme e kontratës për njësi është 3.79 euro”.

Ministria ka kërkuar që pastrimi i veturave të bëhet me kujdes dhe pa u dëmtuar.

“… shërbimet të larjes dhe pastrimit duhet të kryhen me materiale dhe pajisje që nuk dëmtohen veturat zyrtare, çdo dëmtim është përgjegjësi e OE”.

Deri këtu çdo gjë duket në rregull, shkruan Demokracia.com.

Por, befasues është fakti kur shikohet në ARBK se kompania fituese e këtij tenderi në vlerë të 15 mijë eurove ka vetëm një punëtor.

Po ashtu, ajo figuron se është hapur vetëm pak muaj më parë. Kurse, aktivitet kryesor kjo kompani e ka pastrimin e ndërtesave.

“Numri punëtorëve 1. Data e regjistrimit 25/04/2023. Aktiviteti kryesor i biznesit Pastrimi i përgjithshëm i ndërtesave. Aktivitetet e tjera të pastrimit të ndërtesave, objekteve industriale. Aktiviteti sekondar aktivitetet e tjera të pastrimit”, thuhet në regjistrin e kompanisë në ARBK.

 

Në fund, ministria e Hekuran Muratit ka bërë edhe një kërkesë për kompaninë fituese.

“Larja e veturave zyrtare te MFPT duhet te jene prioritet ne momentin qe vetura sillet ne vendin e larjes. Pastrimi  i veturave kërkohet të fillojë të pastrohet menjëherë apo më së largu 10 minuta nga koha e arritjes së veturës zyrtare të AK-së në vendodhjen e autolarjes”./Demokracia.com/

Të ngjashme