Lajme
“Lajçak po punon për Serbinë” | Osmani nuk ndan shqetësimet e njëjta me Kurtin, por a do të rikthehet kryeministri në dialog me Lajçakun si ndërmjetësues?
Demokracia
09:45 | 21 Shtator 2023

Share:

“Nuk është synimi jonë që ta zëvendësojmë një superfuqi me tjetrën. Neve na duhen të dyja, edhe BE-ja, edhe ShBA-ja. Por, neve nuk na duhet një ndërmjetësim i tillë, i njëanshëm, aspak neutral e korrekt, i cili shkon kundër Marrëveshjes Bazike, siç ka ndodhur me ndërmjetësimin e emisarit Lajçak tani”.

Kështu deklaronte kryeministri Albin Kurti paraditen e 18 shtatorit, pas dështimit të takimit të 14 shtatorit në Bruksel, ku Kosova dhe Serbia ishin thirrur për t’u dakorduar për rrugën e zbatimit të planit franko-gjerman apo Marrëveshjes Bazë të Brukselit (27 shkurt 2023) dhe pjesës integrale të saj, Aneksin e Ohrit (18 mars 2023).

Kjo ishte një kërkesë e thënë në mënyrë shumë të drejtpërdrejtë se emisari evropian, Miroslav Lajçak, nuk është i dëshiruar të ulet si ndërmjetës në tryezën e dialogut Kosovë – Serbi, shkruan Demokracia.com.

Për më tepër, sipas Kurtit, në Bruksel “pati një pozicionim të qartë të ndërmjetësit kundër Kosovës” në takimin me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Aty tha se u ekspozua “përballë një skenari” të emisarit të Bashkimit Europian, Miroslav Lajçak.

“Ata kanë shkuar shumë larg me goditjen e të ardhmes së Kosovës. Në ftesën për takim nuk ishte përcaktuar ndonjë pikë specifike të rendit të ditës, por aty thuaje për planin e zbatimit të marrëveshjes së arritur. Unë shkova, propozimi ynë bazohej në parimin e gjithëpërfshirjes që nënkuptonte që çdo nen duhej të përfshihej në planin e zbatimit. Parimin e gjithëpërfshirejs nuk është që e kam zbuluar unë”, tha Kurti.

PRESIDENTJA NUK I NDAN SHQETËSIMET E NJËJTA ME KURTIN, E TAKON DY HERË EMISARIN QË PUNON KUNDËR KOSOVËS

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ndodhet në New York, nuk i ka përfillur kritikat e ashpra të kryeministrit Kurti në adresë të ndërmjetësuesit Lajçak. Brenda 24 orëve, ajo e ka takuar dy herë atë, por askund nuk ka njoftuar nëse në këto takime ka shprehur shqetësimet e njëjta si ato të Kurtit.

Në takimin e saj të parë (19 shtator 2023), në një drekë të organizuar nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashme dhe Politikën e Sigurisë, Joseph Borrell, ku morën pjesë edhe liderë tjerë të Ballkanit Perëndimor, Osmani ka theksuar shqetësimin e vetëm për masat ndëshkuese të BE-së të vendosura ndaj Kosovës.

“Masat e BE-së ndaj Kosovës përveç që nuk i kontribuojnë avancimit të dialogut, ato nëpërmjet pezullimit të projekteve të BE-së më së shumti prekin interesat dhe mirëqenien e qytetarëve”, citohet të ketë thënë Osmani.

Njoftimi zyrtar: https://president-ksgov.net/presidentja-osmani-ne-dreken-tradicionale-te-perfaqesuesit-te-larte-te-bashkimit-evropian-josep-borrell-me-kreret-e-ballkanit-perendimor/

Ndërkq, në takimin e saj të dytë (20 shtator), Osmani ka pasur më shumë kohë të bisedojë drejtpërdrejtë me emisarin e dialogut. Por, as në këtë takim, Osmani nuk ka treguar nëse i ka ndarë shqetësimet e njëjta me ato të kryeministrit Kurti.

”Në Nju Jork, u takova me Miroslav Lajcak për të diskutuar zhvillimet e fundit në dialog. Theksoi se suksesi i saj është i lidhur me zbatimin e balancuar dhe të plotë të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, si dhe heqjen e masave të BE-së që po prekin qytetarët tanë”, ka shkruar Osmani në Twitter.

Osmani shokon Kurtin, brenda 24 orëve e takon dy herë Lajçakun që u akuzua nga kryeministri se po punon për Serbinë

A DO TË RIKTHEHET KURTI NË DIALOG ME NJË NDËRMJETËSUES QË PUNON KUNDËR KOSOVËS?

Kjo është një pyetje që ende nuk ka marrë përgjigjen zyrtare të kryeministrit Kurti.

Por, ndryshe nga Kurti, i cili ende nuk dihet si do të veprojë, presidentja Osmani duket se ka përgjigje më të qartë. Nga takimet që ka pasur me emisarin Lajçak, ka rënë dakord për “rrugën përpara në avancimin dhe zbatimin e marrëveshjes”, shkruan Demokracia.com.

Kështu të paktën ka njoftuar ndërmjetësuesi Lajçak.

“Pata një bisedë të detajuar dhe të dobishme me presidenten Vjosa Osmani mbi zhvillimet në dialog dhe rrugën përpara në avancimin e zbatimit të Marrëveshjes në rrugën e normalizimit. Ramë dakord të vazhdojmë diskutimin tonë”, ka shkruar Lajçak. /Demokracia.com/

Lajçaku njofton se u pajtua me Osmanin për të vazhduar me diskutimet | A i dha leje Kurti për këtë dakordim?

Të ngjashme