Lajme
Lajçak për dialogun: Gjatë shtatorit takimi mes Kurtit dhe Vuçiqit
Demokracia
10:31 | 29 Gusht 2023

Share:

Në muajin shtator është paralajmëruar se mund të ketë një takim mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në kuadër të dialogut në Bruksel. Përgatitjet për këtë takim tashmë kanë filluar pasi emisari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak ka filluar takimet me palët.

Emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, pas takimit që pati me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ai është takuar edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti të hënën në Bled të Sllovenisë.

Lajçak ka bërë të ditur se me Kurtin temë kryesore e bisedës ka qenë përgatitjet për takimin e radhës të nivelit të lartë.

Ai ka theksuar se takimi do të ndodh në shtator, por nuk ka dhënë datë të saktë.

Gjithashtu, Lajçak ka potencuar se në fokus të takimit do të jetë normalizimi i marrëdhënieve dhe zbatimi i deklaratës së 3 qershorit.

“Kam pasur një takim të rëndësishëm me kryeministrin Albin Kurti sot në Bled. Tema jonë kryesore e diskutimit ishin përgatitjet e Takimit të radhës të Dialogut të nivelit të lartë në shtator me fokus normalizimin e marrëdhënieve dhe zbatimin e deklaratës së 3 qershorit.” – ka shkruar Lajçak në rrjetin social “X” (ish-Twitter).

Lajçak para takimit me Kurtin është takuar edhe me të dërguarin e SHBA-ve për Ballkanin Perëndimore, Gabriel Esobar.

Ai do të takohet edhe me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në Beograd.

Për këtë takim, detaje ka dhënë edhe Zyra e Kryeministrit të Kosovës, ku kanë bërë të ditur se është diskutuar për dialogun dhe zbatimin e marrëveshjes bazë dhe aneksit të saj.

“Diskutuan për procesin e dialogut dhe rëndësinë e zbatimit të plotë të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj pa kushtëzime. Kryeministri tha në dritën e fjalimit të presidentit të Këshillit Evropian për integrim të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030 është e rëndësishme që të ketë avancim drejt normalizimit të plotë me njohje reciproke.” – thuhet në komunikatë, përcjell Nacionale.

Mes tyre është folur edhe për situatën në katër komunat veriore, ku Kurti ka thënë se situata atje është de-eskaluar dhe nuk duhet që të ri-eskalohet.

“Në lidhje me situatën në katër komunat në veri të Kosovës, Kryeministri kujtoi që tashmë kemi një situate të de-eskaluar e cila nuk duhet të ri-eskalohet. Kosova tashmë është duke punuar në legjislacionin dytësor për zgjedhjet e hershme të cilave duhet të ju prij një kampanjë e hapur, pa frikësime dhe shantazhe e pasuar me zgjedhje të lira e demokratike.” – thekson komunikata.

Më tej, Kurti e Lajçak kanë folur edhe për mundësitë e takimit në shtator.

“Me Lajçakun Kryeministri diskutoi edhe për mundësitë për një takim të radhës të nivelit të lartë në Bruksel gjatë shtatorit.” – përfundon njoftimi i ZKM-së.

Veriu

Përgatitjet për një takim të ri Kurti-Vuçiq vijnë pas tensioneve të fundit në katër komunat veriore.

Kosova është pajtuar që të çojë në zgjedhje katër komunat veriore, Mitrovicë Veriore, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq si dhe ka ulur numërin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në këto komuna.

Në anë tjetër, Bashkimi Evropian ka kërkuar që sa më parë të mbahen zgjedhjet komunale në veri të vendit, teksa kanë kërkuar në vazhdimësi që të zbatohet deklarata e 3 qershorit.

Për shkak të situatës së krijuar në veri, ndaj Kosovës ishin vendosur masa ndëshkuese, të cilat nuk janë larguar pavarësisht lëvizjeve të qeverisë për de-eskalim të situatë në veri.

Të ngjashme