Lajme
Lajçak ftohet nga Amerika për situatën në veri të Kosovës: Do të kemi diskutime për hapa të menjëhershëm
Demokracia
10:13 | 19 Qershor 2023

Share:

Nuk ka datë se kur pritet të ketë një takim mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, teksa situata në veri të vendit vazhdon të jetë e tensionuar. Në anën tjetër edhe Lajçak ka paralajmëruar takime në SHBA për situatën në Kosovë.

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirsolav Lajçak ka bërë të ditur se do udhëtojë për në Amerikë për të diskutuar intensivisht për hapat përpara dhe të mënjëherëshëm për çështjen në veri.

Fillimisht Lajçak ka treguar për takimet që ka pasur raportim para ambasadorëve të NATO-së dhe BE-së.

Më tej, ai ka thënë se zhvillimet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë janë në radar të të gjithë shteteve.

“Natyrisht, zhvillimet e fundit në rajon, në veçanti tensionet e larta ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe situata në veri të Kosovës, ishin në radarin e të gjithëve. Në fillim të kësaj jave, i informova kolegët e mi në Bruksel për vizitën time të fundit të përbashkët në rajon, situatën aktuale dhe rrugën përpara. Gjatë vizitës sime në selinë e NATO-s, u takova edhe me Zëvendës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mircea Geoana për të diskutuar situatën në veri të Kosovës. Të dy ramë dakord se duhet të ndërmerren hapa të menjëhershëm për de-përshkallëzimin. Më tej e theksova këtë pikë teksa iu drejtova ambasadorëve të NATO-s dhe BE-së. Do të shkoj në Uashington DC më pas me ftesë të partnerëve të mi amerikanë. Ne do të kemi diskutime intensive për rrugën përpara dhe hapat e ardhshëm të menjëhershëm.” – ka shkruar Lajçak.

Ndërkohë, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, javën e kaluar paralajmëroi një takim mes liderëve të dy vendeve.

Ai ka thënë se do të jetë “takim për menaxhim krizash”.

Mirëpo, deri më tani për këtë takim nuk ka asnjë datë se kur do të mbahet, ndërsa edhe Kurti edhe Vuçiq janë deklaruar nëse do të marrin pjesë.

Kryeministri Kurti ka thënë se ende nuk e di nëse do të marrë pjesë.

“Ende nuk kam vendosur se a do të shkoj, mirëpo do ta informoj me kohë zotin Borrell”.

“Në lidhje me ftesën e zotit Borrell që të takohemi në Bruksel, e kam pak të çuditshme sepse kur e pyetëm për një takim në Bruksel javën e kaluar, ai tha se së pari na duhet shtensionim i situates Dhe menjëherë pas rrëmbimit të tre policëve nga njësia speciale e Serbisë, Borrell kërkon takim të nivelit të lartë. Kur përshkallëzimi është i madh sa një mal, atëhërë marr ftesë për takim në Brukesl. Kurse, kur këkrkova vetë takim, thanë se më nevojitet të shtensionoj situatën.” – ka thënë Kurti.

Ndërsa, Vuçiqi ka kundërshtuar një takim me Kurtin duke thënë se “as që më shkon ndërmend të bisedojë diçka me Kurtin”

“Mendoj se është komplet e pakuptimtë të bisedojë me një njeri që kurrë s’ka qenë i interesuar të bisedojë dhe as që më shkon mendja të bisedojë ndogjë derisa serbët të lirohen.” – ka thënë ai duke shtuar se “sa për ekspertët që më thërrasin çdo ditë – më duhet t’ju them – së pari zgjidheni këtë më fëmijën e juaj, Albin Kurtin, pastaj më thirrni.”

“Ata e kanë të vetmen detyrë, mbrojtjen e shtetësisë së Kosovës, nuk ua ndien për serbët e arrestuar dhe të keqtrajtuar. Nuk ua ndien pse këta serbë janë arrestuar. Një bisedë e tillë është e pakuptimtë, sepse as dialogu s’ka kuptim kur gjithmonë është ‘Vuçiq jep diçka dhe bëj diçka’.” – ka thënë ndër të tjera ai.

Ndryshe situata në veri të vendit është tensionuar që nga data 26 maj. Ndërsa kidnapimi i tre policëve të Kosovës nga ana e Serbisë ka rritur edhe më shumë tensionet.

Të ngjashme