Lajme
Kurtit i humb rruga në oborr | Më as vetë nuk e di se çka po flet: Dikur e zhvlerësonte nënshkrimin, tani e kërkon me këmbëngulje (VIDEO)
Demokracia
10:18 | 27 Qershor 2024

Share:

“Me të drejtë mund të theksojë dikush faktin që Serbia nuk e ka nënshkruar marrëveshjen. Ata thonë për arsye të brendshme, por kjo nuk i ulë detyrimet e saj ndaj Bashkimit Evropian. Pra, ne kemi marrëveshje, pa çka se ajo nuk është nënshkruar, sepse pala tjetër ka refuzuar ta nënshkruajë”.

Kjo është deklarata e kryeministrit Albin Kurti, dhënë në Kuvendin e Kosovës, më 23 mars 2023, vetëm 5 ditë pasi ishte kthyer nga Ohri i Maqedonisë së Veriut, ku kishte arritur dakordimin me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, për Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes Bazë (Bruksel, 27 shkurt 2023), shkruan Demokracia.com.

Më anë të këtij qëndrimi, Kurti po e bënte fakt të parëndësishëm mosnënshkrimin e Marrëveshjes Bazike (Bruksel, 27 shkurt 2023) dhe Aneksit për zbatimin e saj (Ohër, 18 mars 2023) dhe po e prezantonte mosguximin e Serbisë për ta nënshkruar si një lloj triumfi të negociimit të tij.

 

Por, që nga ajo kohë, kryeministri Kurti është kurthuar në pozicionimin e tij në dialogun me Serbisë pikërisht në çështjen e nënshkrimit formal të këtyre dy marrëveshjeve, që kanë ngritur frikën e madhe në vend se do të sigurojnë autonomi për serbët në Kosovë.

Lexo më shumë për këtë temë:

27 shkurt 2023 – Njëvjetori i Marrëveshjes së Brukselit | Si ia dha Kurti serbëve Zajednicën me Vetëmenaxhim e autonomi?

 

18 mars 2023 | Një vit nga Marrëveshja e Kurtit që e kurthoi integrimin evropian të Kosovës me themelim të Zajednicës, vetëmenaxhim e autonomi për serbët

Pas qëndrimeve të para menjëherë pas marrëveshjeve që kishte arritur dhe alarmit të ngritur në Kosovë për rrezikun e marrëveshjeve të kryeministrit Kurti, ai filloi të kushtëzojë zbatimin e tyre me nënshkrim edhe pse me presidentin serb ishin dakorduar që të hyjnë në fuqi me Deklaratën e BE-së.

Lexo më shumë:

“Nënshkrimi” | Kurti me filma të lodhtë në kërkim të nënshkrimit të Serbisë, ai është pajtuar me Vuçiqin që Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit të hyjnë në fuqi me Deklaratën e BE-së

3 NËNTOR 2023 – KURTI: VETËM NËNSHKRIMI DO TË NËNKUPTONTE ZBATIM DHE PRANIM

Më 21 tetor 2023, Kurti ka pranuar edhe draft-statutin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, të cilin ia kanë dorëzuar 5 emisarët që përfaqësojnë ShBA-në, BE-në, Gjermaninë, Francën dhe Italinë, si dhe më 26 tetor 2023 ka shprehur gatishmëri para liderëve evropianë (Scholz, Macron, Meloni, Michel, Borrell) që të njëjtin ta nënshkruajë.

Vetëm disa ditë më vonë, më 3 nëntor 2023, Kurti raportoi para deputetëve të Kuvendit të Kosovës ku zbuloi se ishte i gatshëm të nënshkruante edhe draftstatutin për themelimin e Zajednicës, ndonëse për të kishte shumë vërejtje.

“Para krerëve të Bashkimit Evorpian, si dëshmitarë dhe si garantues, ne ofruam të nënshkruajmë Marrëveshjen Bazë të Brukselit të 27 shkurtit 2023, me gjithë Aneksin zbatues të Ohrit të 18 marsit 2023, si dhe propozimin për zbatimin e nenit 7 [vetëmenaxhimin për serbët në Kosovë] të Marrëveshjes në lidhje me nenin 10, pra për idenë e vetëmenaxhimit të shndërruar në propozim. Nënshkrimi do të nënkuptonte pranim, e për rrjedhojë edhe zbatim. Këtë ua kemi thënë shumë qartë dje, duke theksuar se Samiti i BE-së në Bruksel është ngjarja dhe vendi ku do të duhej të ndodhte kjo”, deklaronte Kurti në Kuvendin e Kosovës, përcjell Demokracia.com.

26 QERSHOR 2024 – KURTI: NËNSHKRIMI SJELLË SIGURI LIGJORE DHE ANULON SHKELJET E MËHERSHME

Më 26 qershor 2024, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, udhëtoi për në Bruksel për takimin e mundshëm trilateral me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe me ndërmjetësuesin nga BE, Joseph Borrell.

Takimi i ftuar po mbahej pas atij të fundit në mes të shtatorit të vitit 2023. Vetëm një javë pas këtij takimi, kishte ndodhur sulmi terrorist në Bansjkë të Zveçanit nga një grup serbësh të armatosur rëndë dhe ushtarakisht, të cilët vranë rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, si dhe u larguan për në territorin e Serbisë, atje ku gjetën strehën dhe vazhdojnë operimin të pashqetësuar.

Në mesin e tri kushteve që Kurti prezantoi për tu takuar me presidentin serb, ishte edhe nënshkrimi i Marrëveshjes Bazike të Brukselit, e arritur më 27 shkurt 2023.

“Hera e fundit kur kemi pasur takim ka qenë me 14 shtator, një ditë para sulmit terrorist. Ka ndodhur shumëçka prej atëherë, ka ndodhur Banjska, ka ndodhur edhe letra e tërheqjes e Marrëveshjes Bazike. Siç e tha edhe vetë Borrell, unë kam kërkuar garancionin për mirëbesim dhe vullnet të mirë të cilët mundësojnë zbatimin e marrëveshjes, dhe këto vijnë nëpërmjet tri garancioneve që kam theksuar. E para është nënshkrimi i Marrëveshjes Bazike, sjellë siguri ligjore dhe juridike në njërën anë dhe anulon shkeljet e mëhershme. E dyta është tërheqja e letres së Bërnabiq, sepse aty thotë që nuk pranohet pavarësia e Kosovës, ulësja e OKB’së dhe integriteti territorial dhe garancia e tretë është dorëzimi i Radojqiçit autoriteteve të Kosovës”, tha Kurti. /Demokracia.com/

Të ngjashme