Lajme
Kurtin e bojkotuan kryetarët e komunave, veç dy kryetarë të partive të tjera i shkuan në takim
Demokracia
14:39 | 21 Shkurt 2024

Share:

“Dy çështje të rëndësishme dhe emergjente”, kështu i cilësoi temat e takimit të sotëm me kryetarët e komunave, kryeministri Albin Kurti.

Përplasjet e mëhershme dhe diskriminimet e Qeverisë karshi komunave opozitare në buxhetin për investime kapitale kanë bërë që sot shumë kryetarë të komunave ta refuzojnë pjesëmarrjen, duke dërguar nënkryetarët në vend të tyre.

Demokracia.com ka mësuar se vetëm 6 kryetarë iu kanë përgjigjur ftesës dhe kanë marrë pjesë në takim me Kurtin. Bëhet fjalë për katër kryetarë që vijnë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, së bashku me kryetarin e Junikut, Ruzhdi Shehu.

Në lidhje me këtë çështje, Demokracia.com ka kontaktuar me zëdhënësin e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Arianit Abazin.

Ai në një përgjigje për Demokracia.com ka treguar se ka pasur përfaqësues të komunave të tjera, përveç atyre që janë cekur lartë, si nënkryetarja e re e Prishtinës, Jehona Lushtaku, si dhe nga Obiliqi, Ibush Mjekiqi.

Përçarjet e shkaktuara nga Kurti si pasojë e favorizimit të komunave ku udhëheq LVV kanë bërë që shumica e kryetarëve të komunave që i përkasin partive opozitare të mos i përgjigjen ftesës dhe të dërgojnë përfaqësues të tjerë nga komuna në takim.

Instituti GAP në fund të vitit që kaloi kishte publikuar analizën e Projektit Buxheti 2024, duke hedhur dritë mbi investimet e reja kapitale në nivel qendror dhe ndarjen e tyre nëpër komunat e Kosovës.

Në publikim vihej re se Qeveria Kurti vazhdon t’i favorizojë komunat e udhëhequra nga Vetëvendosje (VV) në investimet e reja kapitale për vitin 2024. Nga ana tjetër, për një sërë komunash që udhëhiqen nga opozita, nuk është ndarë asnjë cent.

Sipas Projektit Buxheti 2024, vlera e investimeve kapitale të reja të nivelit qendror për projekte specifike në komuna është 21.8 milionë euro. Në këtë shumë, mbi gjysmën e saj, ose 59.5%, (13 milionë euro) është drejtuar në katër komunat e udhëhequra nga VV, të cilat përbëjnë 14.5% të sipërfaqes në Kosovë dhe 11.6% të popullsisë.

Katër komuna që udhëhiqen nga Partia Demokratike e Kosovës: Ferizaj, Skënderaj, Kaçaniku e Hani i Elezit nuk figurojnë fare në listë. /Demokracia.com/

Të ngjashme