Lajme
Kurti viziton QKUK-në si një polic hetues, nuk merret me gjendjen e rëndë në shëndetësi dhe ikjen e mjekëve
Demokracia
10:52 | 10 Tetor 2022

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mëngjesin e sotëm ka vizituar Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK).

Në vend që të njoftohej nga afër për situatën e rëndë në shëndetësi dhe të informohej për ikjen e mjekëve, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vizitën e tij në Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK), mëngjesin e sotëm, e ktheu në vizitë hetuese, shkruan Demokracia.com.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, ka fajësuar dy kompanitë e sigurimit për djegien e veturës së  Drejtorit të Njësisë së Auditimit të Brendshëm të SHSKUK-së, Musa Vitija.

Sipas Kurtit, këto kompani janë përgjegjëse për sigurimin fizik dhe mbikëqyrjen e kamerave dhe siç theksoi ai, këto kompani kanë dështuar në kryerjen e punës së tyre.

Situata në SHSKUK është mjaftë e rënduar si pasojë e ikjes së mjekëve, por Kurtit si duket kjo gjë nuk po i bën përshtypje dhe në këtë postim të tij, nuk e ka thënë as edhe një fjalë të vetme për gjendjen e rënduar në shëndetësi, shkruan më tutje Demokracia.com.

Kurti këtë vizitë në QKUK e realizoi vetëm disa ditë pas dorëheqjes  Rifat Latifit nga detyra e ministrit të Shëndetësisë.

Aktualisht edhe Ministria e Shëndetësisë por edhe QKUK-ja janë pa drejtues dhe të dy institucionet funksionojnë me zëvendës dhe ushtrues detyre.

Postimi i plotë i Kurtit, pa ndërhyrje:

Një herë me 19 gusht dhe pastaj sërish me 7 tetor iu dogj vetura Drejtorit të Njësisë së Auditimit të Brendshëm të ShSKUK-së, Musa Vitija. Pas një pune intensive të tij janë gjetur shkelje të shumta të dokumentuara në raport përkatës.

Dy kompanitë, “Security Code”, përgjegjëse për sigurimin fizik dhe “Quantic”, përgjegjëse për mbikëqyrjen e kamerave kanë dështuar në kryerjen e punës së tyre. E para, sepse për herë të dytë nuk ka arritur të ofroj sigurinë e veturës së z. Vitija, kurse tjetra edhe pas dy jave nuk ka arritur t’i rikthej në funksion kamerat e sigurisë të cilat janë të dëmtuara nga “vetëtima”.

Për të shprehur mbështetjen time të parezervë, sot vizitova Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës. Bashkë me mua në vizitë ishte edhe ushtruesja e detyrës së ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku dhe zëvendësministri, Arsim Berisha, ku takuam ushtruesen e detyrës së drejtores së ShSKUK-së, Pranvera Zejnullahu- Raçi, Kryesuesen e Bordit Drejtues, Aida Rexhepi dhe Drejtorin, Musa Vitija.

Të korruptuarit dhe kriminelët zjarrvënës e kanë vendin në burg, e jo jashtë tij ku lirinë e përdorin si mundësi për të përsëritur krimin.

Të ngjashme