Lajme
Kurti lë mënjanë “sanksionet pastaj dialogu”, rikthehet aktivisht atje ku e kishte lënë duke i kërkuar Serbisë nënshkrimin e marrëveshjes
Demokracia
09:19 | 17 Tetor 2023

Share:

“… edhe sot kam kërkuar nga kryeministrja serbe që ta nënshkruajmë Marrëveshjen Bazike dhe Aneksin e Ohrit. Unë jam që të zbatohen ato pikërisht tani që Presidenti i Serbisë është i zënë në Kinë me vizitën atje. Kam thënë le të nënshkruajmë bashkë më Kryeministren e Serbisë [Bërnabiq], por ajo sërish nuk ishte e interesuar”.

Kjo është deklarata e djeshme e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, pas mbarimit të Samitit të Procesit të Berlinit, i cili për herë të parë në histori u mbajtë jashtë kufijve të BE-së, në Shqipëri.

Në këtë mënyrë, kryeministri Kurti ka lënë pas qëndrimin e mëhershëm, por të përsëritur edhe në të njëjtën ditë vetëm disa orë më herët, për kushtëzimin e rifillimit të dialogut me Serbinë me sanksionimin e saj për agresionin e 24 shtatorit 2023, shkruan Demokracia.com.

Deri sa para nisjes së Samitit të Procesit të Berlinit, Kurti në takim me deputetin gjerman, Michael Roth, ka përsëritur qëndrimin se “dialogu nuk mund të vazhdojë sikur të mos ketë ndodhur asgjë”, pas përfundimit të Samitit të Procesit të Berlinit, Kurti ka treguar para medieve se i ka kërkuar Kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, që ta nënshkruajnë Marrëveshjen e Brukselit (27 shkurt 2023) dhe Aneksin e Ohrit (18 mars 2023).

“Në lidhje me procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, Kurti u shpreh se ai nuk mund të vazhdojë sikurse të mos ketë ndodhur asgjë. Kapitulli i ardhshëm i dialogut për normalizim duhet ta ketë parasysh veprimin agresor të Serbisë përmes sulmit terrorist të 24 shtatorit, për të cilin ka dëshmi e fakte të mjaftueshme për përfshirjen e Serbisë”, thuhet në njoftimin për media, të përcjellur nga Zyra e Kryeministrit. /Demokracia.com/

Kurti në takim me Roth: Dialogu nuk mund të vazhdojë sikur nuk ka ndodhur asgjë

Në Tiranë, Kurti e luti Bërnabiqin e Serbisë ta nënshkruajë marrëveshjen ku ka Zajednicë e Vetëmenaxhim për serbët

Të ngjashme