Lajme
Kurti hyn në histori për të keq, bëhet kryeministri i parë që ndëshkon mësimdhënësit me ndaljen e rrogave
Demokracia
08:16 | 06 Tetor 2022

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili është i obsesionuar me historinë, më në fund ia ka arritur të gjejë vend në të, por për të keq.

Albin Kurti është bërë kryeministri i parë në historinë e pasluftës në Kosovë, që i ndëshkon mësimdhënësit duke ua ndalë rrogën e muajit shtator vetëm pasi ishin në grevë, në kërkim të disa të drejtave, që në fund u shpërfillin nga Qeveria, shkruan Demokracia.com.

Ekzekutimi i pagave nuk është bërë as pas shtatë ditësh, ndonëse të gjithë të tjerët që paguhen nga buxheti i shtetit të Kosovës e morën rrogën e tyre më 30 shtator. Madje, edhe grevistët tjerë u paguan, por vetëm mësimdhënësit jo dhe nuk dihet as nëse do të bëhet kjo.

Ky ndëshkim, që vjen drejtpërdrejtë nga Kurti dhe i zbatuar nga vartësi i tij në Ministrinë e Financave, Hekuran Murati, është me pasoja të rënda jo vetëm për mësimdhënësit, por edhe për familjet e tyre që burim të të ardhurave kanë këto paga. Ndalja e pagës në këtë kohë krize të përballjes me inflacionin dhe çmimet e larta të çdo gjëje, është jo vetëm shkelje kushtetuese e ligjore, por edhe jo-njerëzore.

LEXO EDHE:

Ish-kryetari i Kushtetueses: Qeveria nuk është punëdhënës i mësimdhënësve, s’ka të drejtë t’ua ndalojë pagat

Pavarësisht këtyre konsekuencave, Kurti ka ndërmarrë këtë hap, si një lëvizje për të shtypur jo vetëm këtë grevë të mësimdhënësve, e cila vetëm është pezulluar deri në janar 2023, por edhe për të shtypur grevat e mundshme të ardhshme.

Beteja e kryeministrit Kurti për të shtypur grevën dhe organizimin sindikal është një pasqyrë krejt tjetër nga ajo që dikur premtonte ai si opozitar. Në vitin 2019, ai u kishte premtuar sindikatave të Kosovës se “tek Qeveria e tij do të gjejnë partnerin që nuk e kishin te asnjë Qeveri tjetër që prej përfundimit të luftës”.

LEXO EDHE:

VIDEO| Gënjeshtra e madhe e Albin Kurtit para sindikalistëve: Te Qeveria ime do të gjeni partnerin që kurrë nuk e keni pasur

Në vend të përmbushjes së këtij premtimi apo një mirëkuptimi për kërkesat e mësimdhënësve, kryeministri Kurti që nga dita e parë e grevës i ka sulmuar e kërcënuar se do të mbesin pa pagën mujore dhe këtë po e bënë realitet. /Demokracia.com/

Të ngjashme