Lajme
Ish-kryetari i Kushtetueses: Qeveria nuk është punëdhënës i mësimdhënësve, s’ka të drejtë t’ua ndalojë pagat
Demokracia
22:35 | 05 Tetor 2022

Share:

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani ka thënë se Qeveria nuk ka të drejtë t’ua ndalojë pagat punëtorëve të arsimit.

Hasani ka thënë se çështja duhet të shtrohet se kush është punëdhënësi i këtyre punëtorëve.

Sa i përket çështjes nëse është e ligjshme që të paguhen ata që kanë qenë në grevë, ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese, ka thënë se kjo çështje i takon lirive dhe të drejtave themelore të njeriut.

“Kjo i takon një dimensioni që ne e quajmë pagë apo kompensim material, që e marrim sipas një kontrate. Problemi themelor këtu është se në një sistem kushtetues çfarë jemi ne për ndarjen dhe balancimin e pushteteve, Qeveria ekzekuton ligje dhe nuk i interpreton ligjet, përveç rregullativës së brendshme për aq kohë sa ato nuk afektojnë liritë e drejtat e njeriut sepse edhe atëherë ka një mekanizëm vertikal që e mbikëqyrë punën e ekzekutivit. Kuvendi i nxjerr ligjet dhe interpretuesi i tyre është gjykata”, ka theksuar Hasani.

Kjo sipas tij do të thotë se jemi para një ndëshkimi, para një represioni ligjor, në të cilin janë afektuar qindra punëtorë të arsimit për pjesëmarrjen në grevë.

“Problemi themelor që e bën jolegjitim dhe jo të ligjshëm këtë veprim sipas kushtetutës dhe standardeve të Strasburgut, e të cilat çdo autoritet përfshirë edhe Qeverinë duhet t‘i zbatojë kur thirret për lirinë dhe të drejtat e njeriut është se këtu nuk shtrohet çështja nëse ka drejtë dikush ose nëse ecë rroga në ndërkohë që nuk punon dhe bën grevë. Ligji flet për punëdhënës sepse vetëm punëdhënësi ka të drejtë të bëjë ndalimin e ekzekutimit të pagave. Qeveria nuk është punëdhënës jo vetëm i arsimit fillor dhe të mesëm por as i Universiteteve publik, por edhe një pjesë goxha e madhe e administratës është pjesë e atyre agjencive të pavarura që shpesh quhen si pushtet i tretë apo amortizues i pushtetit politik në shoqëri”, ka theksuar Hasani.

Ai ka thënë se punëtorët e arsimit duhet t’i ndjekin rrugët ligjore për të siguruar pagat e tyre.

“Ndalesa e pagesave pa një aktvendim qoftë nga inspektorati, qoftë nga gjykata nuk mund të ndodhë. Duhet të provohet në gjykatë. Pa një vërtetim faktesh në baza individuale, qeveria nuk mund t’ia ndalë pagat askujt edhe në qoftë se komuna në këtë rast nuk i dorëzon listat. Komuna duhet të dëshmojë me vendime individuale nëpërmjet inspektorateve të arsimit dhe organeve tjera kompetente nëse dikush ka qenë apo jo në punë”, ka deklaruar Hasani në RTK.

Të ngjashme