Lajme
Kurti emëron këshilltar njeriun që thoshte se Skënderbeu ka kryer krime kundër shqiptarëve
Demokracia
20:47 | 21 Korrik 2022

Share:

 Hysamedin Feraj është emër i njohur për publikun kosovar, por ai tash mban edhe një funksion në Qeverinë e Kosovës.

Ish-kandidati për deputet nga LVV-ja, që shpeshherë ishte në qendër të debatit për deklarime kontroverse, është pjesë e kabinetit të kryeministrit Albin Kurti.

Feraj është emëruar këshilltar i kryeministrit Albin Kurti. Që nga muaji shkurt, deputeti në tentativë, është i ngarkuar me përgjegjësinë e koordinimit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, tregoi se ai në këtë funksion është emëruar si këshilltar politik i Kurtit.

“Z. Hysamedin Feraj është i ngarkuar nga Kryeministri me përgjegjësitë e anëtarit të Sekretariatit Koordinues Ndërqeveritar në kapacitetin e tij si këshilltar politik i Kryeministrit Kurti. Ai mban këtë pozitë nga muaji shkurt i këtij viti. Detyrat e tij, si anëtar i Sekretariatit Koordinues Ndërqeveritar, janë të përcaktuara sipas Protokollit të Bashkëpunimit ndërmjet Këshillit të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për krijimin e Sekretariatit Koordinues Ndërqeveritar. Ndërkaq pozitën e Koordinatorit të Sekretariatit Ndërqeveritar e mban, z. Gentian Sala”, tha Kryeziu për Nacionale.

Por njëra ndër deklaratat më kontroverse të tij është ajo për Heroin Kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, shkruan Demokracia.com.

Feraj kishte thënë se Skënderbeu kishte kryer masakra mbi myslimanët të cilët s’pranon të bëheshin të krishterë.

Veç kësaj, Feraj kishte shkruar se masakrat që kishte kryer Skënderbeu s’ishin kryer nga Perandoria Osmane ndaj shqiptarëve.

“Së pesti, Skënderbeu mund të interpretohet si udhëheqësi shqiptar që përuroi fillimin e luftërave fetare ndërmjet shqiptarëve. Kështu mund të interpretohet sjellja e tij ndaj besimeve të tjera fetare në Shqipëri pas kthimit në Krujë, kur kërkoi nga kolonistët dhe të konvertuarit në myslimanë të zgjedhin ndërmjet kristianizmit e vdekjes dhe të gjithë ata që nuk pranuan të braktisin islamin i masakroi. Masakra masive si këto nuk janë kryer gjatë gjithë periudhës së sundimit osman dhe përgjithësisht kjo sjellje e Skënderbeut nuk u pasua nga udhëheqës të tjerë (ndoshta me përjashtim të Pjetër Bogdanit dhe ndonjë rasti tjetër të rrallë) e nuk u shndërrua në traditë tek shqiptarët. Përkundrazi, traditë u bë toleranca fetare që është një përvojë dhe karakteristikë tipike shqiptare”, kishte shkruar Feraj.

Kurti e bën këshilltar Hysamedin Ferajn, “çepuesi” i gazetarëve do t’i mbikëqyrë marrëveshjet mes Kosovës e Shqipërisë

Të ngjashme