Lajme
Kultivimi i narkotikëve, dënohen me vite burgim dhe gjobë me para tre të dyshuar
Demokracia
20:12 | 10 Maj 2024

Share:

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka vendosur në çështjen penale kundër të akuzuarve I.S, R.K dhe N.F, për shkak të veprës penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurrës së kokainës ose bimëve të kanabisit” dhe “Mbajtja në pronësi kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, si dhe “Moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre”.

I akuzuari I.S është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 5 vitesh, për veprën penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurrës së kokainës ose bimëve të kanabisit” dhe “Mbajtja në pronësi kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Në këtë dënim do të llogaritet edhe koha e kaluar në masën e paraburgimit nga data 12.02.2023 e tutje, si dhe dënim unik me gjobë në shumë prej 11 mijë eurosh, të cilin dënim i akuzuari I.S duhet ta paguajë në afat prej 15 ditëve pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Në rast se i akuzuari nuk dëshiron apo nuk mund ta paguajë dënimin me gjobë, gjykata dënimin me gjobë do t’ia zëvendësojë me dënim me burgim, duke iu llogaritur 20 euro, për një ditë burgimi.

I akuzuari R.K është shpallë fajtor dhe është dënuar me dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 3 vitesh, për veprën penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurrës së kokainës ose bimëve të kanabisit” dhe dënim me gjobë në shumë prej 5000 eurosh, të cilin dënim i akuzuari R.K duhet ta paguaj në afat prej 15 ditëve pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Në këtë dënim do ti llogaritet edhe koha e kaluar në masën e paraburgimit nga data 04.04.2023 e tutje. Në rast se i akuzuari nuk dëshiron apo nuk mund ta paguaj dënimin me gjobë, gjykata dënimin me gjobë do t’ia zëvendësojë me dënim me burgim, duke iu llogaritur 20 euro, për një ditë burgimi.

I akuzuari N.F është shpallë fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej një viti e tre muajsh, për veprën penale “Moslajmërimi i  veprave penale apo kryesve të tyre”, në të cilin dënim do të llogaritet edhe koha e kaluar në masën e paraburgimit nga data 12.02.2023.

Sendet e përdorura apo të destinuara për kryerjen e veprës penale dhe sendet të cilat janë rezultat i kryerjes së veprës penale i nënshtrohen automatikisht konfiskimit.

Me aktvendim të veçantë të akuzuarve I.S dhe R.K iu është vazhduar masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit por jo më shumë se dënimi i shqiptuar me aktgjykimin e Gjykatës Themelore, ndërsa të akuzuarit N.F i ndërpritet masa e paraburgimit.

Palët e pakënaqura kanë të drejt ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Të ngjashme