Lajme
Haradinaj: Kosova nuk ka as udhëheqës e as zot shtëpie
Demokracia
20:52 | 10 Maj 2024

Share:

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se po humbet momentumi i pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Përmes një postimi në Facebook ai ka thënë se kjo është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e tre udhëheqësve institucionalë.

Haradinaj ka thënë se tërheqja e kryeministrit nga zotimi i liderëve institucional, është goditja më e rëndë që mund t’i behët Kosovës në planin ndërkombëtar.

“Presidentja, Kryeministri dhe Kryeparlamentari, me garancitë e dhëna përmes një letre të përbashkët, ku zotohen se Kosova do të përmbushë obligimet që dalin nga Marrëveshja e Brukselit dhe tërheqja prej fjalës së dhënë, e shkruar e zezë mbi të bardhë, janë jo vetëm humbje, por edhe goditja më e rëndë që mund t’i bëhët Kosovës në planin ndërkombëtar”, ka thënë Haradinaj.

I pari i AAK-së ka kritikuar edhe Presidenten për “heshtje” në raport me procesin e anëtarësimit të vendit në KiE.

“Udhëheqja e Kosovës me veprimet e saj, përfundimisht e ka humbur besimin, ndërkaq Kosovën e ka shndërruar në një vend që po izolohet e po ndëshkohet përditë e më shumë. Në krejt këtë situatë shqetësuese, kur po shihet qartë se vendi nuk ka as udhëheqës e as zot shtëpie, Presidentja e vendit ka vendosur të hesht dhe të na bombardojë me pamje nga ajri, të pilotimit të një helikopteri”, ka vijuar tutje Haradinaj.

“Mjerimi ka zbritur në tokë dhe sot më shumë se asnjëherë e ka emrin, Udhëheqja e Kosovës!”, ka përfunduar statusin opozitari Haradinaj.

Të ngjashme