Lajme
Kurti e bën këshilltar Hysamedin Ferajn, “çepuesi” i gazetarëve do t’i mbikëqyrë marrëveshjet mes Kosovës e Shqipërisë
Demokracia
20:13 | 21 Korrik 2022

Share:

Hysamedin Feraj është emër i njohur për publikun kosovar. Në qarqe të ndryshme, filozofi nga Tirana, së bashku me aktivistë të tjerë nga Shqipëria, jozyrtarisht njihet si ideolog i Lëvizjes Vetëvendosje. Por, ai tashmë zyrtarisht mban një funksion në Qeverinë e Kosovës.

Ish-kandidati për deputet nga LVV, që shpeshherë ishte në qendër të debatit për deklarime kontraverse, është pjesë e kabinetit të kryeministrit Albin Kurti.

Afërsia me liderin e VV-së i është shpërblyer filozofit tiranas.

Hysamedin Feraj është emëruar këshilltar i kryeministrit Albin Kurti. Që nga muaji shkurt, ish-deputeti në tentativë, është i ngarkuar me përgjegjësinë e koordinimit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë.

Në një përgjigje për gazetën Nacionale, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, tregoi se ai në këtë funksion është emëruar si këshilltar politik i Kurtit.

“Z. Hysamedin Feraj është i ngarkuar nga Kryeministri me përgjegjësitë e anëtarit të Sekretariatit Koordinues Ndërqeveritar në kapacitetin e tij si këshilltar politik i Kryeministrit Kurti. Ai mban këtë pozitë nga muaji shkurt i këtij viti. Detyrat e tij, si anëtar i Sekretariatit Koordinues Ndërqeveritar, janë të përcaktuara sipas Protokollit të Bashkëpunimit ndërmjet Këshillit të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për krijimin e Sekretariatit Koordinues Ndërqeveritar. Ndërkaq pozitën e Koordinatorit të Sekretariatit Ndërqeveritar e mban, z. Gentian Sala”, tha Kryeziu.

E themeluar nga dyshja Rama e Kurti, Sekretariati Koordinues Ndërqeveritar ka për detyrë monitorimin e zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara mes dy qeverive.

Analiza, filozofime, deklarata politike e thumbime, janë disa nga gjërat me të cilat Feraj merret në kohën e lirë në Facebook-un e tij. Por, kuptueshëm, angazhimi i tij i ri e ka pasivizuar nga pak “ideologun” jo-zyrtar të VV-së.

Ndonëse nuk arriti të bëhej deputet në zgjedhjet e fundit, ai është shumë i zëshëm në Facebook-un e tij.

Postimi i fundit nga Feraj godet opozitën më 14 korrik, por frekuenca e postimeve tashmë ka rënë.

Duhet të përmendet se në profilin e tij, z.Feraj ka një mbishkrim interesant në atë që njihet si “intro”.

“Unë mendoj se bashkimi kombëtar duhet bërë sot!”, shkruhet në profilin e Ferajt.

Duket se aktivisti Feraj nuk ka hequr dorë nga ideja e bashkimit kombëtar, siç tashmë ka bërë lideri i tij, Albin Kurti.

Herë pas here, ai komenton ngjarje të ndryshme politike në vend, duke mos kursyer nga gjuha e ashpër.

Andaj, duhet të përkujtojmë se një deklaratë e tij e kishte shtyrë Federatën Evropiane të Gazetarëve (EFJ) të reagonte, duke e dënuar gjuhën e urrejtjes që Feraj kishte përdorur ndaj gazetarëve kosovarë.

Të ngjashme