Lajme
Kurti e lartëson periudhën e shtypjes së shqiptarëve në ngushëllimin për vdekjen e ish drejtorit të Trepçës
Demokracia
16:43 | 03 Mars 2023

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili dje nuk e ka ngushëlluar familjen Haradinaj për vdekjen e ish-luftëtarit të njohur të UÇK-së, Agron Haradinaj, sot ka shkruar për vdekjen e ish-drejtorit të ndërmarrjes “Trepça”, Nazmi Mikullovci, i cili ishte edhe kryesues i Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovarë të Privatizimit.

Në kujtimin e tij, Kurti është treguar nostalgjik për sistemin komunist duke thënë se Mikullovci ka drejtuar “Trepçën” në vitet e shkëlqyera të industrializimit të vendit.

“Sot u nda nga të gjithë ne Nazmi Mikullovci. Emri i tij mbetet i lidhur përjetësisht me Kosovën, ekonominë dhe industrinë e saj. Nazmi Mikullovci është përfaqësuesi i një gjenerate të jashtëzakonshme profesionistësh që projektuan dhe realizuan në masë të gjerë vetëqëndrueshmërinë ekonomike të Kosovës. Kushdo e njeh atë si Drejtorin e Trepçës në vitet e shkëlqyera të industrializimit të vendit. Ndërsa shumë nga ne si orientuesin e përpiktë se si të optimalizohen mundësitë vendore në industri dhe ekonomi”, ka shkruar Kurti plot nostalgji për periudhën komuniste.

Ai ka thënë se Mikullovci ka qenë për të më shumë se sa një bashkëpunëtor, në më shumë se një dekadë.

“Nazmi Mikullovci është mentori i dijes mbi Kosovën dhe ekonominë e saj. Ngushëllime të sinqerta Familjes Mikullovci, miqve e bashkëpunëtorëve”, ka shkruar ai.

Përderisa ka shkruar fjalë të mëdha për periudhën komuniste, Kurti nuk e ka thënë asnjë fjalë për vdekjen e luftëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Agron Haradinaj, i cili vdiq të enjten në moshë të re pas një sëmundjeje të rëndë.

Postimi i Kurtit është pëlqyer edhe nga Veton Surroi, babai i këshilltares së tij, Zojës, si dhe i biri i Rexhai Surroit, një diplomati në kohën e ish Jugosllavisë. /Demokracia.com/

Të ngjashme