Lajme
Kurti e Haxhiu plasuan interpretimin e tyre, Miftaraj thotë se ndryshe lexohen opinionet e Komisionit të Venecias
Demokracia
15:20 | 18 Qershor 2022

Share:

Kryeministri Albin Kurti dhe ministrja Albulena Haxhiu e kishin me shumë nguti sot që ta plasonin të parët interpretimin e tyre politik për opinionet e Komisionit të Venecias për Vettingun në Drejtësi dhe Byronë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Kjo edhe ishte e pritshme, pasi që këto opinione nuk pritet të jenë të qasshme për publikun deri në fillim të javës. Megjithatë, Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, i ka reaguar kryeministrit Albin Kurti dhe ministres Albulena Haxhiu, duke thënë që ato opinione ndryshe lexohen e kuptohen nga juristët.

Miftaraj në një postim në Facebook, ka shkruar se është interesante sesi të njëjtat dokumente, lexohen dhe kuptohen ndryshe nga politika, ndryshe nga juristët.

Ai ka shkruar, po ashtu, se propozimi i Qeverisë për byronë ka pasur të meta të mëdha dhe sipas tij nga Komisioni i Venecias i është thënë jo, përcjell Demokracia.com.

Sipas Miftarajt edhe vettingu në sistemin e drejtësisë nuk është pranuar, siç është kërkuar nga Qeveria Kurti.

Postimi i plotë i Miftarajt:

Janë dy opinione te Komisionit te Venecias, një për Vetting dhe një për Byro.

Interesant sesi të njëjtat dokumente, lexohen dhe kuptohen ndryshe nga politika, ndryshe nga juristet.

Vetting po, por Jo si është kërkuar. Sidoqoftë, fillim i mirë, dhe tash kërkesa te zbatohet ne praktike pike për pikë sipas rekomandimeve ne opinion. Sfida, te binden partneret ndërkombëtare dhe konsensus politik.

Byroja Jo si është propozuar. Propozimi i qeverisë të meta te mëdha qe cenojnë sigurinë juridike, cenojnë sistemin aktual, cenon te drejtat dhe liritë themelore, sipas Komisionit te Venecias./Demokracia.com/

Të ngjashme