Lajme
Kosova refuzon të përfaqësohet me nivel politik në takimin për dinarin, Serbia cakton kryenegociatorin
Demokracia
19:39 | 25 Shkurt 2024

Share:

Për takimin e paraparë për të martën, as në Qeveri e as në Bankën Qendrore nuk e kanë bërë të qartë se kush saktësisht do ta përfaqësojë Kosovën. Ndërkaq në Serbi kanë deklaruar se shefi i Zyrës për Kosovën dhe kryenegociatori Petar Petkoviq, do ta përfaqësojë Serbinë. E opozita e ka fajësuar Qeverinë, për siç tha, futjen e dinarit si çështje në dialog.

Dy ditë para takimit në Bruksel lidhur me ndalimin e përdorimit të dinarit si mjet pagese në Kosovë, mediat serbe kanë raportuar se kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviqi do të jetë prijës i delegacionit serb.

“Delegacioni nga Beogradi, i udhëhequr nga drejtori i Zyrës për Kosovë, Petar Petkoviq, do të marrë pjesë në raundin e ri të dialogut në Bruksel”, ka njoftuar agjencia serbe të lajmeve “Tanjug”.

Ndërkohë nga Qeveria e Kosovës kanë treguar vetëm se kush nuk do të shkojë në takim.

Klisman Kadiu, këshilltar për media i zëvendëskryeministrit Besik Bislmi, nuk ka sqaruar se kush do të shkojë në takim, por vetëm e ka referuar redaksinë në përgjigjen ku thuhet se niveli politik, kryenegociatori e anëtarë të ekipit negociator nuk do të marrin pjesë në këtë takim.

E përgjigje nuk kanë ofruar as nga Banka Qendrore e Kosovës, që edhe e ka marrë rregulloren, sipas të cilës nga 1 shkurti, valuta e vetme për operacione me para të gatshme është Euroja.

Lidhur me këtë takim janë përplasur në distancë gjatë javës që shkoi zëvendëskryeministri Bislimi dhe zëdhënësin e Bashkimit Evropian, Peter Stano.

Bislimi e ka akuzuar ndërmjetësin e BE-së, Miroslav Lajçak, se ka shkelur parimet që i ka vendosur vetë në fillim duke thirrur takim pa koordinim me palët.

Deklaratën e Bislimit, zëdhënësi i BE-së e ka quajtur të papranueshme.

Në opozitë e kanë fajësuar Qeverinë për, siç kanë thanë, futjen e dinarit si çështje në dialog.

Zenun Pajaziti, anëtar i Kryesisë së PDK-së, tha se Qeveria mban përgjegjësi të plotë lidhur me çështjen e dinarit.

“Qeveria s’ka bërë asnjë përpjekje kreative për ta trajtuar këtë çështje. Për më tepër e ka ngritur çështjen e dinarit si një çështje të dialogut. Kjo qeveri ka përgjegjësi të plotë që dinarin, e bëri temë të tillë, e cila po i kushton qeverisë dhe neve si vend. Këta sikur edhe herë të tjera, kanë hyrë në tema pa një marrëveshje me partnerët, ata që ne kemi pas vazhdimisht koordinim të plotë dhe pastaj tërheqja na ka kushtuar shumë… Nuk kemi të bëjmë me një seriozitet të zgjidhjes së këtyre problemeve që kanë qenë pjesë e dialogut, por veprime krejtësisht populiste, që më shumë sesa një tentim për t’i zgjidhur këto probleme një herë e mirë, kanë për qëllim joshjen e votuesve për proceset e ardhshme zgjedhore”, ka thënë Pajaziti, shkruan Koha.

E analisti Albinot Maloku thotë se po vërehet që ndërmjetësi nuk ka ide të qartë për zgjidhjen e çështjeve madhore të dialogut.

“Përderisa nuk ka një konkretizim, për arsye që janë të obliguara BE-ja palëve ju ka thënë që nuk është e nevojshme që të keni nënshkrim për të, se duhet të jetësoni këtë marrëveshje dhe se mbi bazën e këtij mosvizioni të BE-së gjithsesi që do të manovrojnë – palët secila në formën e vet me vullnetin maksimal që t’i japë një kahe destruktive procesit të dialogut”, ka deklaruar Maloku.

Që nga 1 shkurti ka hyrë në fuqi Rregullorja re e BQK-së për paratë e gatshme – ku thuhet se mjet i vetëm i pagesës në Kosovë është valuta euro.

Që nga ajo datë nuk është lejuar futja e dinarit në Kosovë. Në pikën kufitare në Jarinjë, në disa raste janë kthyer prapa furgonët e mbushur me këtë valutë të Serbisë.

Shteti i Serbisë ndan miliona euro për serbët në Kosovë pasi ua paguan atyre – përmes një sistemi paralel – rrogat, pensionet dhe ndihmën sociale.

Beogradi e ka kritikuar ashpër Rregulloren e BQK-së, duke e interpretuar si synim të Qeverisë së Kosovës për dëbim të serbëve.

Rregullorja e BQK-së është kritikuar edhe nga bashkësia ndërkombëtare, e cila ka thënë se vendimi është marrë pa konsultime paraprake dhe pa marrë për bazë ndikimin te komuniteti serb.

Nga BQK-ja kanë thënë se vendimi do të zbatohet përmes një faze transitore jo më të gjatë se tre muaj, por pa shpjeguar se çfarë parasheh kjo fazë.

Të ngjashme
Lajme • 06 Maj 2024