Lajme
DOKUMENTE | Komuna e Shtimes ndan mjete buxhetore për militantë partiakë, pa asnjë procedurë ligjore i angazhon në projekte
Demokracia
09:35 | 13 Dhjetor 2023

Share:

Kryetari i Shtimes, Qemajl Aliu, mund të përballet shumë shpejt më drejtësinë. Ai për dy vite radhazi i ka shmangur procedurat ligjore, duke angazhuar disa persona në një projekt të bashkëfinancuar me Agjencinë për Zhvillimin Rajonal (AZhR), shkruan Demokracia.com.

Kryetari Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, mund të ketë bërë shpërdorim të pozitës zyrtare kur ka nënshkruar marrëveshjen financiare, vjet  rreth 7 mijë euro e herën tjetër (sivjet) 14 mijë euro për shërbime me një organizatë joqeveritare, pa ndjekur procedurat ligjore të prokurimit.

Për projektin me AZHR – Qendër, Demokracia.com ka gjetur se janë angazhuar 3 militantë të Lëvizjes Vetëvendosje, përkatësisht Sali Bajrami, Egzon Selmani dhe Ruzhdi Jashari. Ky i fundit edhe ish-kandidat për kryetar i LVV-së në zgjedhjet 2017 dhe 2 të tjerë nga LDK-ja, përkatësisht Vesa Zeqiri dhe Nexhat Neziraj, anëtar të kryesisë së LDK-së në Shtime. Që të dy, në kohën e nënshkrimit të marrëveshjes kanë qenë pjesë e strukturave të LDK-së në Shtime. LDK e LVV, siç dihet, janë në bashkëqeverisje në Shtime.

Kjo komunë nëpërmjet organizatës që është pjesë e marrëveshjes, Agjencia për Zhvillimin Rajonal (AZhR), ka angazhuar konsulentë të rinj për një periudhë 6-mujore, me kompensim mujor prej 450 euro dhe shpenzime operative e mbështetëse. Megjithatë, kjo marrëveshje është nënshkruar pa konkurs publik dhe pa procedura të prokurimit publik, duke krijuar kushte për keqpërdorim të fondeve publike.

Demokracia.com ka kërkuar sqarime nga Komuna e Shtimes lidhur më atë sesi ka ndodhur që këta persona janë angazhuar në marrëveshje me AZHR-në për të hartuar projekte komunale, pa iu nënshtruar asnjë procedure ligjore konkurruese të përzgjedhjes. Komuna nuk ka kthyer pergjigje.

Si nisi procesi?

Më datë 12 korrik të vitit 2022, kryetari Qemajl Aliu dhe drejtoresha e AZHR-së, Mrikë Macula, kanë nënshkruar një marrëveshje për angazhimin e konsulentëve për hartimin e projekteve për ekspertizë për t’i ndërtuar kapacitetet e nevojshme për zhvillimin e konceptprojekteve investuese prioritare për komunën dhe për t’iu qasur investitorëve potencialë, vendorë dhe të huaj.

Fillimisht, në marrëveshjen e vitit të kaluar janë angazhuar vetëm dy konsultë. Në dokumentin që e posedon Demokracia.com, shihet se bëhet fjalë për dy konsulentë për një periudhë 6-mujore më mundësi vazhdimi me një pagë bruto 450 euro. Komuna e Shtimes për këtë ka transferuar në llogarinë e AZHR-së një shumë prej 6480 euro.

Pastaj në shkurt të vitit 2023, Demokracia.com ka gjetur se Komuna e Shtimes ka nënshkruar një tjetër marrëveshje të njëjtë për angazhimin e 5-konsulentëve të rinj dhe në këtë rast, Komuna e Shtimes ka transferuar në llogari të AZHR-së, 14, 850.00 euro.

Në këtë projekt, Komuna e Shtimes i ka angazhuar personat e lartshënuar, duke mos ndjekur asnjë procedurë ligjore për përzgjedhjen e tyre.

Demokracia.com ka parë deklarimet tatimore të tyre dhe të gjithë figurojnë se janë paguar nga AZHR-ja për gjashtë muaj, nga prilli deri në shtator.

Rasti më flagrant është angazhimi i Ruzhdi Jasharit, i cili në të kaluarën ka qenë edhe Kryetar i Kuvendit Komunal, ndërsa në zgjedhjet e vitit 2017 ishte kandidat i Vetëvendosjes për kryetar të komunës, por nuk kishte arritur të fitonte. Nga viti 2017 deri në 2020, ai ka mbajtur postin e asamblistit komunal nga LVV-ja.

Se në cilat projekte janë angazhuar personat në fjalë dhe se çfarë kanë punuar deri tash, Komuna e Shtimes nuk është përgjigjur as në këtë pyetje. /Demokracia.com/

Të ngjashme