Lajme
Kodi Civil: A do mund t’i bindë ministrja Haxhiu bashkëpartiakët e saj për votimin e këtij projektligji?
Demokracia
11:52 | 09 Janar 2024

Share:

Një ndër projektligjet më të rëndësishme për t’u votuar është ai për Kodin Civil. Po ky projektligj, u bë “mollë sherri” që partia më e madhe në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje të ketë përçarje mes vete.

Hiç më pak se 14 deputetë të Vetëvendosjes kishin votuar kundër Kodit Civil. Për të mos dështuar edhe njëherë në Kuvend, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kishte bërë përpjekje të vazhdueshme për të punuar me deputetët të cilët nuk ishin pro.

Haxhiu thotë se është fatkeqësi që jemi në vitin 2024 dhe ende Kosova nuk ka Kod Civil, por sipas saj ai do të procedohet brenda këtij viti.

“Fatkeqësisht, në vazhdimësi është trajtuar vetëm një nen, që është neni 148 i draftit të Kodit Civil dhe nuk janë trajtuar institutet e reja, që janë të drejtat e grave, qytetarëve në përgjithësi”, tha Haxhiu.

Ajo tha se asnjë ligj në MD, nuk bëhet pa përfshirjen e institucioneve tjera, të shoqërisë civile, partnerëve ndërkombëtarë dhe ekspertëve.

“Kodi Civil do të procedohet brenda këtij viti. Kosova si vend që pretendon të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, nuk guxojmë të lejojmë që mos të kemi një dokument që avancon të drejtat e njeriut, sepse lidhet drejtpërdrejt me të drejtat e njeriut. Për bindjen time më mirë është të sigurohemi që i kemi 61 vota që marrin pjesë në votim dhe në anën tjetër ta procedojmë sepse dështimi i sërishëm në Kuvendin e Kosovës do të ishte fatale për Kosovën, sidomos edhe për së brendshmi dhe në rrugëtimin tonë drejt mekanizmave siç është edhe Këshilli i Evropës”, tha Haxhiu.

Ndryshe, kujtojmë se në një prononcim për Periskopin, deputetët Eman Rrahmani, Gazmend Agusholli, Visar Korenica e të tjerë, kanë deklaruar se “sa herë të vijë në Kuvend ky projektligj, ata do të votojnë kundër”.

Të ngjashme