Lajme
Keqplanifikimi i MASHTI-t, 8 aneks kontrata i nënshkruan për 6 muaj
Demokracia
15:23 | 27 Tetor 2023

Share:

Ministria e Arsimit, e cila udhëhiqet nga Arbërie Nagavci, muajve të fundit e ka lëshuar dorën duke lidhur kontrata që tradicionalisht njihen si mjaft të dyshimta.

Vetëm për gjashtë muaj, nga prill i këtij viti e deri më tani, Ministria Arsimit ka lidhur 8 kontrata me negocim për punët shtesë të disa projekteve, vlera e të cilave është rreth 600 mijë euro, shkruan Demokracia.com.

Këto aneks-kontrata janë lidhur për disa shkolla e çerdhe. Marrëveshjet e ripërtërira janë bërë për disa punë shtesë që kanë dalë, kryesisht që në start të projektit te heqja e dheut, por edhe në disa pozicione tjera. Ato janë miratuar nga menaxherët e kontratave. Rëndom, punët shtesë dihet që janë një keqplanifikim i kompanisë projektuese, por jo rrallëherë ato miratohen nga menaxherët e kontratave edhe në mënyrë fiktive për të rritur vlerën e kontratës.

Për “Ndërtimi i shkollës fillore të mesme të ulët në “Ibrahim Mazreku” Malishevë”, kontrata e lidhur është 164,609.81 dhe është me N.N.P. “Standard Plus”, e cila e kishte fituar kontratën e parë.

Për “Plotësimi i projektit me sasi shtesë për ndërtimin e sh.f. në Junik”, kontrata është lidhur në vlerë prej ‘77,494.73” më kompaninë  N.P.T.”Loni”.

“Raport për plotësimin e projektit në Ndërtimin e shkollës fillore në Krushë të madhe-Rahovec”. Kështu quhet ankes-kontrata e lidhur më negocim, me kompaninë NPN EUROING SH.P.K, në një vlerë prej 147,153.80 euro.

Ndërsa, “Plotësimi i projektit ndërtimi i shkollës fillore të mesme të ulët Grabanicë, Komuna e Klinës”, është lidhur më grupin e kompanive ”Euro Project” SH.P.K.; Benita Company, në një vlerë prej  64,905.26 euro.

Punë shtesë kanë dalë edhe për ndërtimin e sallës së sporteve në shkollën “Naim Frashëri” në Podujevë, në të cilën punëkryes është kompania “TOP PROJEKT” SH.P.K.

Edhe “Ndërtimi i sallës se edukatës fizike në sh.f.m.u Destan Bajrajktari – Suharekë” është duke u kryer nga kompania Top Projekt, në një vlerë prej 26,017.82 euro.

Punë shtesë kanë dalë edhe në dy çerdhe, të cilat kanë nisur së ndërtuari rishtazi. “Punë shtesë në ndërtimin e objektit të çerdhes P+1 në Podujevë”, quhet projekti më të cilin është lidhur kontratë me Top Projekt, me një vlerë prej 62,511.61 euro.

Po ashtu, punë shtesë kanë dalë edhe në “Ndërtimi i Çerdhes në Doberqan – Gjilan”, në një vlerë prej 12,118.50 euro, më të cilën është lidhur kontratë më “HIDRO PROJECT” SH.P.K.

Punët shtesë janë brenda kuadrit ligjor dhe zakonisht ato janë paraparë që të dalin në ato vende ku është vështirë të bëhet planifikimi, për shembull në ndërtimin e rrugëve ku ka ndonjë bjeshkë a mal, apo rrjedha të lumenjve. Pra, në vendet që për shkaqe natyrore mund të mos planifikohen si duhet. /Demokracia.com/

Të ngjashme