OpEd
Kaq është kjo punë
Demokracia
10:23 | 21 Shkurt 2024

Share:

Shkruan: Blerim Shala

Kujt i kujtohet sot fati  (apo kobi) i Jamal Kashoggit, gazetarit të gazetës prestigjoze ‘The Washington Post’? 

Ta merr mendja që një shekull, e jo vetëm gjashtë vjet kanë kaluar nga rasti i këtij autori të njohur saudit, i cili një herë u ekzekutua, me 2 tetor të vitit 2018, në dhomat e Konsullatës së Arabisë Saudite në Stamboll  (Turqi), e pastaj, u zhbë  (trupi i tij), në synimet për ta fshehur një vrasje që ishte urdhëruar drejtpërdrejtë nga Mohammed bin Salman, princi i kurorës i Arabisë Saudite.

Autoritetet turke që kishin vënë nën përgjim ndërtesën e kësaj konsullate, zbardhën gjithë rastin, përfshirë këtu edhe fjalët e fundit të Kashoggit, i cili ishte disident i pushtetit saudit, në të cilat ky teksa ngulfatet mbërrinë të thotë: ‘Nuk mund të marr frymë…’.

Për pak ditë bra, nuk mbet gjë e panjohur në këtë rast. Dihej pra urdhërdhënësi, diheshin ekzekutorët, dihej koha dhe vendi i vrasjes.

Megjithatë, asgjë nuk ndodhi më pas. Perëndimi, në radhë të parë SHBA-ja e Administratës së Presidentit Donald Trump, nuk i ftohi fare marrëdhëniet me Arabinë Saudite dhe MBS-në  (si thirret shkurtimisht Mohammed bin Salman). Përkundrazi. Për t’i fuqizuar edhe më shumë raportet me SHBA-në, MBS nënshkroi një kontratë me Administratën Amerikane për furnizim me armatim në vlerë prej njëqind miliardë dollarësh.

Kaq ishte kjo punë.

Rendi Ndërkombëtar, i krijuar tashmë në prej Luftës në Siri e tutje  (kjo luftë mund të klasifikohet si një pikë kthese në këtë aspekt), nuk e kishte ndër mend të merrej me fatet e gazetarëve dhe publicistëve të cilët u gjetën në vendin dhe në kohën e gabuar.

Paralajmërime për këtë Rend u shfaqën edhe më parë, me vrasjen  (me helmim të elementeve atomike, me polonium), e Alexander Litvinenko-s në Londër, në vesjtën  evitit 2006.

Ish agjenti i FSB-së  (Shërbimit inteligjent rus), u helmua nga kolegët e tij të dikurshëm, me urdhër direkt të Vladimir Putinit, atëherë  (dhe tash), Presidentit të Rusisë.

Kaq ishte kjo punë. Nuk ndodhi gjë më pas.

Rusia u përfshi drejtpërdrejtë, në mënyrë të njëanshme në Luftën e Sirisë, dhe më pas, në vitin 2014, aneksoi Krimenë  (e Ukrainës).

Kaq ishte kjo punë. Nuk ndodhi gjë më pas. Perëndimi nuk mblodhi mend as atëherë.

U dasht të nisë agresioni i Rusisë mbi Ukrainë, tash e dy vjet, që të ndodhë këndellja e Perëndimit. Pa reagimin e vendosur të SHBA-së dhe shteteve kryesore të Evropës, pa mobilizimin e Aleancës Veri-Atlantike  (e cila pak vite më parë u pati shpallur ‘Klinikisht e vdekur’ nga Presidenti i Francës Emmanuel Macron), Rusia pos që do ta pushtonte Ukrainën, me siguri që do t’ia mësynte edhe Moldavisë. Kush e di ku do të ndalej.

Sidoqoftë, si asnjëherë më parë, javëve të fundit, emrat eminnent në SHBA dhe në Evropë, po flasin për një mundësi reale të shpërthimit të Luftës në mes të Perëndimit dhe Rusisë në 3-5 vitet e ardhshme.

Shumë prej nesh këtu në Kosovë, nuk po kuptojmë ende se në çfarë Bote po jetojmë. Kjo e sotmja, thuaja na ka ardhë nga një planet tjetër, krahasuar, ta zëmë me atë që ishte në vitet 1998, 1999, kur u përcaktua, një herë e mirë fati i Kosovës.

Duket që Alexei Navalny, siç cilësohej tash e sa vjet, krye-disidenti rus i pushtetit të pakufishëm të Vladimir Putinit, nuk i mori vesh asnjëherë rrethanat krejtësisht të reja ndërkombëtare, të cilat nuk i ofronin as gjasat minimale që të lëkund sadopak Putinin, e lëre më ta rrëzojë nga pushteti.

Navalny i cili mezi i shpëtoi helmimit të FSB-së, pur t’u kuruar në Gjermani, në janarin e vitit 2021 vendosi të kthehej në Rusi, për ta vazhduar misionin e tij të kundërshtimit të Putinit.

Ishte ky një akt vetëvrasës, siç u kuptua të premtën e kaluar  (me 16 shkurt), kur u dha lajmi që Navalny ka vdekur pas një shetitje në oborrin e burgut ku gjendej kohëve të fundit, në zonën e Arktikut.

Cinikët thanë që në këtë mënyrë, Putin lansoi fushatën e tij në zgjedhjet presidenciale të cilat do të mbahen në Rusi me 15-17 mars, pra, edhe disa javë.

Perëndimi reagoi ashpër pas vrasjes së Navalnyt. Njëlloj ashpër, siç reagonim ne në Kosovë, në vitet e nëntëdhjeta, pas çdo rasti të dhunës së pushtetit okupues serb.

Kaq është kjo punë.

Të ngjashme