Lajme
Kancelarit gjerman nuk i bënë përshtypje mbështetja e kryeministrit kosovar | Kurti shkon në Berlin në tubimin e socialistëve, aty ishte dhe Olaf Scholz, por as nuk u përshëndetën (Foto)
Demokracia
20:10 | 05 Maj 2024

Share:

Kryeministri Albin Kurti po qëndron në Gjermani, ku po merr pjesë në Konferencën e Partisë Socialiste Gjermane.

Pjesë e kësaj konference ishte edhe kancelari gjerman, Olaf Scholz.

Kurti pas konferencës publikoi një postim në Facebook me disa fotografi, shkruan Demokracia.com

Siç duket nga fotot e publikuara, Kurti nuk është përshëndetur fare me kancelarin gjerman.

Zgjedhjet evropiane të 9 qershorit, janë vendimtare për të ardhmen, sigurinë dhe prosperitetin në kontinentin…

Posted by Albin Kurti on Sunday, May 5, 2024

Kancelarit gjerman duket se s’i ka bërë shumë përshtypje pjesëmarrja e Kurtit në konferencë.

Pesë ditë më parë, Kurti e Scholz patën një bisedë telefonike, ku kancelari gjerman i kërkoi hapa konkretë kryeministrit të Kosovës sa i përket Asociacionit.

Në një deklaratë për media nga qeveria atje u tha se kancelari gjerman theksoi “mbështetjen e qeverisë gjermane për integrimin evropian të Kosovës dhe rikujtoi rëndësinë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit”.

Në këtë deklaratë u përmend edhe Asociacioni, si çështje që u diskutua nga Kurti dhe Scholz.

“Kancelari përshëndeti zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për Manastirin e Deçanit. Ai nënvizoi rëndësinë e hapave konkretë drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nga autoritetet e Kosovës, edhe në kuadër të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.”, u tha në deklaratë.

Ndryshe, kryeministri Kurti në fund të muajit të kaluar ishte për një vizitë në Gjermani, por ai u takua me ministren e jashtme, Annalena Baerbock dhe jo me kancelarin Scholz.

DW raportoi se Gjermania, sikurse edhe Franca dhe SHBA, po kërkojnë që Kosova të bëjë hapa përpara në krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për të mbështetur kandidaturën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, çka do të trajtohet në mbledhjen e ardhshme të ministrave të Këshillit të Evropës./Demokracia.com/

Të ngjashme