Lajme
Jevtiqi i Listës Serbe i thur lavde Vuçiqit, kritikon opozitën në Serbi
Demokracia
10:44 | 15 Shtator 2022

Share:

Nënkryetari i Listës Serbe, Dalibor Jevtiq, e ka glorifikuar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq për miratimin e raportit për negociatat me Kosovën në Parlamentin e Serbisë.

Për të dëshmuar edhe njëherë që Lista Serbe funksionin me direktivat e Beogradit, Jetviq ka hedhur kritika në drejtim të opozitës serbe.

Në seancën për Kosovën kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesit e serbëve të Kosovës. Për këtë Jetviq u shpreh i lumtur.

“Vetë fakti që presidenti kaloi dy ditë, çdo sekondë të seancës në sallë, tregon përkushtimin e tij personal ndaj çështjes së Kosovës dhe jetës së serbëve në Kosovë, të cilën çdo burrë dhe grua serbe e vlerëson. përkushtimin dhe gjithçka që ka treguar deri më tani, duke u përgjigjur dhe duke treguar se në fund të fundit është ai që e kupton më së shumti veten dhe e di se si jetojnë serbët në Kosovë”, tha Jevtiq mbrëmë në një prononcim për Tanjug, transmeton Express.

Raporti për Kosovën është quajtur, “Raporti për procesin e negociatave me ‘institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes’ në Prishtinë”.

Ky raport vjen në një kohë kur pos Bashkimit Evropian që ka një emisar, edhe shtetet anëtare të BE-së si Gjermania dhe Franca kanë angazhuar emisarë për dialogun.

Kosova dhe Serbia e kanë arritur një marrëveshje për dokumente, por jo për targat.

Madje marrëveshja për targat nuk shihet as në horizont, pasi presidenti i Serbisë gjatë seancës ka thënë se “targat KM tregojnë prezencën e Serbisë në Kosovë”.

Të ngjashme