Lajme
Kosova pa institucion të veçantë për trajtimin e rasteve të dhunës seksuale, shqetësuese devijimi social
Demokracia
12:55 | 04 Maj 2024

Share:

Kosova nuk ka institucion të veçantë për trajtimin e rasteve të dhunës seksuale. Viktimat marrin shërbime të përkohshme, por pa trajtim adekuat.

Njohës të shërbimeve sociale thonë se të miturat mund të kalojnë edhe në prostitucion meqë nuk arrijnë të rehabilitohen e as riintegrohen. Ndërkaq, ministrja e Drejtësisë zotohet se brenda vitit do të themelohet qendra e parë për trajtimin e këtyre rasteve.

Vetëm gjatë vitit të kaluar janë dhunuar seksualisht 90 persona, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

“Gjatë vitit 2023 janë ngacmuar seksualisht 76 persona. Ka pasur tentativë për dhunim ndaj shtatë personave, të kryera 90 raste. Janë sulmuar seksualisht 65 persona, ndërkaq ka qenë një rast i tentativës”, thuhet në përgjigjen së Policisë së Kosovës.

Vebi Mujku, i cili udhëheq Institutin për Zhvillimin e Politikave Sociale  thotë se shteti ende nuk e ka kuptuar rëndësinë e trajtimit të këtyre rasteve.

Njohësi i politikave sociale dhe shërbimeve sociale shton se Kosova ka nevojë për themelimin e qendrës për trajtimin e rasteve të dhunës seksuale.Qendra për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) për më shumë se dy dekada trajton rastet e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Po ashtu, ofrojnë shërbime direkte për fëmijët e atakuar nga ngacmimet apo dhuna seksuale. Feride Rushiti, e cila udhëheq këtë qendër thotë se viktimat e dhunës seksuale po kalojnë nga një derë në tjetrën.

E ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu zotohet se këtë vit do të themelohet qendra për trajtimin e rasteve të dhunës seksuale.

Ajo shton se vitin e kaluar janë ndërmarrë disa veprime në këtë drejtim dhe një nga ndryshimet më të rëndësishme që kanë bërë, siç thekson ajo, është protokolli për trajtimin e rasteve të dhunës seksuale.

Të ngjashme