Lajme
Jasharaj: Vendimi i Nagavcit për librat, eksperimenti më i keq
Demokracia
19:51 | 04 Shtator 2023

Share:

Viti i ri shkollor filloi me 1 shtator.

Ndryshe nga viti i kaluar kur pati grevë në arsim, këtë vit mësimi nisi me probleme sa i përket pajisjes me libra për të gjithë nxënësit.

Ministria e Arsimit nuk i siguroi nxënësve librat, pasi mori një vendim tjetër.

MASHT-i ka ndarë nga 80 euro për nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën dhe nga 30 euro për nxënësit nga klasa e gjashtë deri në të nëntën.

Sigurimi i librave nga prindërit për fëmijët ka shkaktuar tollovi në shumë librari të qyteteve.

Për t’i siguruar prindërit tekstet shkollore për fëmijët e tyre kanë vërshuar libraritë.

Lidhur me këtë situatë aktuale në arsim, ka folur në një prononcim për Front Online, kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.

Jasharaj procesin e furnizimit me tekste shkollore e ka quajtur të vështirë.

Ai thotë se mund të shkojë 1 muaj deri të pajisët të gjithë nxënësit me libra.

Sipas Jasharajt, familjet kosovare me parat e tyre e kanë të vështirë t’i sigurojë tekstet.

“Furnizimi me tekste është shumë i vështirë. Duhet të bëhet e pamundura që të furnizohen familjet në nevojë me tekstet shkollore. Mund të bëhet edhe 1 muaj deri kur nxënësit do të furnizohen të gjithë me libra sepse një pjesë e madhe e familjeve e kanë vështirë me mjetet e veta të blejnë libra pa e marr rimbursimin”, u shpreh Jasharaj.

Jasharaj vendimin e MASHT-it për librat e ka cilësuar si më të keqin që kjo ministri e ka marr ndonjëherë.

Kreu i SBASHK-ut e përmend edhe një problem tjetër që po përballën prindërit.

“Problemi tjetër është mungesa e librarive në disa qytete ku po shkakton shumë tollovi e shumë vonesë deri në furnizimin e librave ku ata që shkojnë të blejnë po duhet të presin në radhë e po u shkojnë ditët huq nxënësve pa libra. Kurrë zgjedhje më të keqe nuk ka bërë MASHT-i me Nagavcin është dashur të lidhën kontratë valide me botuesit. Ky eksperiment po e vështirëson vazhdimin e vitit shkollor”, theksoi Jasharaj.

Ministria e Arsimit i ka shpërndarë falas librat për nxënësit e shkollave fillore nga viti 2008. Por, këtë vit ky dikaster ka ndryshuar mënyrën e shpërndarjes së teksteve shkollore, për shkak të dështimit të marrëveshjes me shtëpitë botuese për furnizimin e shkollave me libra, për faktin se, siç thotë MASHTI, shtëpitë botuese kanë ofertuar çmime shumë më të larta se ato që i vendosin në libraritë e tyre.

Të ngjashme