Lajme
Isa Mustafa: As në horizont dhjetëvjeçar nuk e shoh marrëveshjen përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë
Demokracia
16:59 | 11 Gusht 2023

Share:

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se as në horizont dhjetëvjeçar nuk sheh marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, ku krejt kjo, sipas tij, është për shkak të papërgjegjësisë se këtij pushteti.

Tutje, Mustafa thotë se Kosova është shndërruar në problem të sigurisë.

“Ndërkaq as në horizont dhjetëvjeçar nuk e shoh marrëveshjen përfundimtare. Krejt për shkak të papërgjegjësisë së këtij pushteti. Askush, as SHBA, as BE dhe as Mbretëria e Bashkuar s’flasin për te dhe as për njohje reciproke. Kosova tani është shndërruar në problem të sigurisë”, u shpreh Mustafa për Blic.

Pas takimit Kurti-Vuçiq, që pritet të mbahet në shtator, Mustafa ka thënë se Kurti e ka futur dialogun në mekanizma të sanksioneve, ku edhe marrëveshja e Brukselit dhe Ohrit peshohet me sanksione.

“Kurti e futi dialogun në mekanizma të sanksioneve. Tani edhe zbatimi/moszbatimi i marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit peshohet me sanksione”, tha Mustafa.

Mustafa gjithashtu tha se nuk është fjala vetëm për masat e de-eskalimit të situatës në veri, por për përmbushjen e marrëveshjeve të cilat Kurti i ka pranuar në emër të Kosovës.

Tutje shtoi se edhe nëse Kurti dëshiron të japë dorëheqje e të mos i zbatojë marrëveshjet, këtë nuk do t’ia lejonte komuniteti ndërkombëtar.

“Nuk është fjala vetëm për masat e deeskalimit të situatës në veri, por për përmbushjen e marrëveshjeve të cilat i ka pranuar Kurti në emër të Kosovës. Sa po duket, edhe nëse Kurti do të donte të japë dorëheqje e të mos i zbatonte marrëveshjet, këtë nuk do ta lejojë komuniteti ndërkombëtar pa filluar ai implementimin e marrëveshjeve, me kundërshtimin e të cilave ka ardhur në pushtet”, tha Mustafa.

Të ngjashme