Intervista
Intervistë | Lekaj: Zgjedhjet e parakohshme janë e vetmja zgjidhje, Qeveria Kurti s`ka përgjigje për asnjë çështje
Demokracia
15:38 | 13 Janar 2024

Share:

Nënkryetari i AAK-së, Pal Lekaj, vitin 2024 e ka cilësuar si vit të ndryshimeve dhe vendimeve të mëdha për vendin. Në aspektin politik, ka thënë ai, sfida kryesore me të cilin do të përballet Kosova do të jetë dialogu me Serbinë.

Deputeti i AAK-së është shprehur i shqetësuar me mënyrës se si Qeveria po e trajton këtë proces.

Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Lekaj ka thënë se ky pushtet çështjen e dialogut Kosovë – Serbi po e trajton për kalkulime zgjedhore, e jo si interes i shtetit të Kosovës.

Në këtë situatë, sipas tij, e vetmja zgjidhje janë zgjedhje e parakohshme.

Ai ka bërë me dije se gjatë këtyre 3 viteve Qeveria Kurti nuk ka pasur përgjigje për asnjë çështje të rëndësishme.

Lekaj është shprehur optimist për rezultatin e AAK-së në këto zgjedhje.

Nacionale: Z. Lekaj, Kosova po e fillon një vit mjaft sfidues. Si e pritni të jetë ky vet për Kosovën?
Lekaj: Viti 2024 do të jetë vit i ndryshimeve dhe vendimeve të mëdha. Në aspektin politik kemi përpara epilogun e marrëveshjes Kosovë-Serbi, ku do të caktohet e ardhmja, përbërja dhe pozicionimi i vendit. Në aspektin social, vendi do të përballet me largimin e qytetarëve për shkak të liberalizimit të vizave, gjendjes së dobët ekonomike, mungesën e sigurimeve shëndetësore, gjendjen e dobët të sektorit privat, të ardhurat e vogla, çmimet e larta , etj.

Nacionale: Nga fillimi i këtij muaji kosovarët filluan të lëvizin pa viza në zonën shengen, duke përfshirë Spanjën, e cila njohu pasaportën e Kosovës. Megjithatë, Qeveria Kurti ngarendi t`i marrë meritat për këtë çështje. Si e ke parë veprimin e Qeverisë?
Lekaj: Bërja realitet e liberalizimit të vizave është fat i mirë për qytetarët e vendit.
Liberalizimi i vizave është një proces që daton nga pas lufta dhe nuk lidhet me Qeveri konkrete, por me sistemin si tërësi dhe realitetin që të gjitha qeveritë kanë punuar konform plotësimit të rregullave dhe kërkesave të BE-së. Qeveria Kurti nuk ka meritë as për liberalizimin e vizave dhe as për njohjen e pasaportës nga Spanja, madje mendojë që ata e kanë bllokuar këtë proces që 3-4 vite, sepse nuk kanë bashkëpunuar dhe kanë ftohur raportet me aleatët tanë evropianë dhe ndërkombëtarë, si përshembull rasti me vendosjen e sanksioneve nga BE ndaj Kosovës në vlerë 500 milionë euro.

Nacionale: Ndër sfidat kryesore me të cilat do të përpallet Kosova edhe gjatë këtij vit është edhe dialogu. A pritni të ndryshon qeveria qasjen ndaj këtij procesi?
Lekaj: Qeveria Kurti për katër vite në qeverisje ka dëshmuar që nuk din të udhëheqë asnjë proces dhe din të befasojë në momente të caktuara.
Deri tani, kjo Qeveri ka pranuar çdo kusht nga Serbia dhe nuk ka funksionuar e bashkëpunuar me akterët e brendshëm të Kosovës.

Nga ky pushtet unë pres çdo gjë, pra këta mund të pranojnë secilin kusht të dialogut në dëm të Kosovës, dhe për kalkulime politike mund të ndryshojë kursin dhe vendimin politik brenda natës, duke e quar vendin në zgjedhje.

Ky pushtet çështjen e dialogut do ta trajtojë për kalkulime politike e zgjedhore, dhe jo për zgjidhje të drejtë për shtetin e Kosovës.

Nacionale: SHBA-ja dhe BE-ja kanë bërë me dije se gjatë këtij viti presin nga Kosova zbatimin e Asociacionit, ndërsa kryeministri Kurti vazhdon të kushtëzojë zbatimin e këtij dokumenti më nënshkrimin e Marrëveshjes Bazike. Çfarë duhet të bëj Kosova në këtë drejtim?
Lekaj: Kryeministri Kurti duhet ta ruajë dhe mbajë sovranitetin e Kosovës të 17 shkurtit 2008. Në njërën anë z. Kurti duhet të zbatojë çka do që ka nënshkruar dhe ka marr zotimin, dhe në anën tjetër duhet të ketë kujdes që të mos e shes Kosovën për të cilën janë humbur shumë jetë dhe është derdhur shumë gjak.

Nacionale: Sipas shumë njohësve të rrethanave politik, kjo çështje mund ta dërgojë vendin në zgjedhje. E shihni si të mundshëm një gjë të tillë?
Lekaj: Po, kjo qeveri nëse e nuhat që po humb vota në popull me çështjen e Marrëveshjes Finale, ata pa humbur kohë do të dërgojnë vendin në zgjedhje.
Gjithashtu edhe presioni ndërkombëtar do të luhasë Kurtin nga qëndrimet dhe vendimet e tij politike.

Nacionale: A janë zgjidhje zgjedhjet e parakohshme, z. Lekaj?
Lekaj: Po, pasi vërtet gjendja nuk është e mirë në asnjë aspekt dhe sektorë. Janë shumë tema brenda dhe jashtë vendit që kërkojnë zgjidhje, prandaj meqë kjo Qeveri nuk ka përgjigje dhe zgjidhje për këto tema, me rregull duhet të mbahen zgjedhjet.

Nacionale: Sondazhet e fundit nuk e nxjerrin mirë opozitën. Duhet të ndryshojë diçka opozita gjatë këtij viti?
Lekaj: Sondazhet jo çdoherë pasqyrojnë realitetin, dhe puna jo çdoherë kuptohet nga qytetarët dhe akterët tjerë brenda vendit. Ne si Grup Parlamentar i AAK-së kemi qenë mjaft të zëshëm dhe kemi bërë punë të madhe në Kuvend, komisione, media, tryeza me sindikata e shoqëri civile. Ne si AAK zotohemi para qytetarëve që do të jemi zëri i tyre për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e tyre, në çdo moment kur është e nevojshme.

Nacionale: E shihni të mundshme krijimi e një fronti opozitar?
Lekaj: Në demokraci lejohen bashkëpunimet dhe koalicionet. Kosovën e presin tema të rëndësishme brenda dhe jashtë vendit, prandaj çdo kush që beson njëjtë dhe përputhen me ide, bindje e strategji është e lejueshme që të krijohen e bashkohen frontet opozitare.

Të ngjashme