Lajme
Incidenti në Prishtinë| SHSKUK: Pesë të pranuarit në Emergjencë jashtë rrezikut për jetë
Demokracia
11:01 | 05 Gusht 2023

Share:

Një i vdekur dhe 17 të lënduar është bilanci i përleshjeve me armë zjarri që ka ndodhur të shtunën rreth orës 23:00 në lokalin Bon Vivant në Prishtinë.

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës në një komunikatë për media ka njoftuar mbi gjendjen e të lënduarve.

“5 persona janë pranuar për trajtim të mëtejmë, pas ndihmës mjekësore emergjente në Klinikën Emergjente, si pasojë e lëndimeve që kanë marrë mbrëmë. Prej tyre, 4 janë pranuar për trajtim të mëtejmë në Klinikën e Ortopedisë dhe 1 në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare, të gjithë jashtë rrezikut për jetë. Ndërkaq, përkundër përpjekjeve maksimale nga stafi mjekësor, një person i datëlindjes 1984, ka ndërruar jetë në Mjekimin Intensiv Qendror. Numri total i pacientëve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore, ishte 17”, bëhet e ditur në njoftim.

ShSKUK njofton se prej tyre, 7 ishin të lënduar me armë zjarri dhe 10 me mjete të mprehta.

“I gjithë stafi i Klinikës Emergjente dhe klinikave të tjera kanë qenë në gjendje gatishmërie dhe kanë ofruar ndihmën e nevojshme mjekësore, bashkë me drejtorin e Klinikes Emergjente, Naser Syla. Për të ngritur gjendjen e gatishmërisë, ofruar mbështetje dhe pë t’u interesuar për të lënduarit në Klinikën Emergjente ka qenë edhe drejtori i përgjithshëm i ShSKUK, Elvir Azizi”, thuhet në njoftim.

Të ngjashme