Sport
Ibrakoviq i kënaqur me kalimin në gjysmëfinale të Kupës
Demokracia
16:16 | 16 Mars 2022

Share:

Prishtina është kualifikuar në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës në futboll, duke e eliminuar Ballkanin në çerekfinale edhe atë në Suharekë.

“Bardhekaltrit” nga kryeqyteti fituan 1:2 në stadiumin e qytetit në Suharekë, vetëm pas 120 minutave lojë, ngase 90 minutat e rregullta u mbyllën baras 1:1, shkruan Demokracia.com.

Kryetrajneri i Prishtinës, Abdulah Ibrakoviq është shprehur i kënaqur me kualifikimin tutje në Kupë, ndërsa tha se skuadra e tij e deshi më shumë fitoren.

“Ishte ndeshje me rëndësi për ne. Kemi luajtur ndaj Ballkanit që është lider në ligë dhe shumë i fortë. Kemi luajtur taktikisht shumë mirë dhe më gëzon fakti që fituam. Për ne çdo lojtar ka rëndësi të madhe, por kartonët e kuq treguan se sa shumë e kemi dashur fitoren. Në fund na u shpërblye me fitore. Pa marrë parasysh, ne shkojmë në çdo lojë për fitore, si në ligë, ashtu edhe në Kupë. Do të vazhdojmë njësoj deri në përfundim të sezonit”, tha trajneri boshnjak për ArtSport.

Tutje kanë siguruar plasmanin edhe Llapi e Drita që eliminuan Gjilanin, respektivisht Ulpianën.

Kujtojmë se ndeshja e fundit e fazës çerekfinale luhet nesër mes Ramiz Sadikut dhe KEK-ut.

Ndryshe, në gjysmëfinale luhen dy ndeshje vajtje-ardhje. /Demokracia.com/

Të ngjashme