Lajme
I kishte kanosur me armë punëtorin teknik dhe vëllain e tij, njeriu i Bulliqit bëhet drejtor i shkollës në Podujevë
Demokracia
20:22 | 12 Shtator 2022

Share:

Komuna e Podujevës e udhëhequr nga Shpejtim Bulliqi i Vetëvendosjes, përkatësisht Drejtoria e Arsimit, më 15 shkurt të vitit 2021 kishte bërë përzgjedhjen e drejtorëve të rinj për shkolla fillore dhe të mesme në këtë komunë.

Në këtë përzgjedhje ishin zgjedhur 9 drejtorë të rinj të këtyre shkollave, shkruan Demokracia.com.

Sheqir Krasniqi në këtë konkurs ishte zgjedhur drejtor i shkollës së mesme të ulët “Ibrahim Rugova” në Podujevë. Krasniqi është i afërt me kryetarin e Podujevës, Shpejtim Bulliqi. Këtë e tregon edhe një fotografi e përbashkët me Bulliqin dhe deputetin e LVV-së, Fatmir Humolli.

Krasniqi para 7 vjetësh sa ishte drejtori i shkollës “Afrim Fahriu” në Luzhan të Podujevës kishte patur një zënkë me punëtorin teknik të kësaj shkolle, Jeton Durmishi dhe vëllain e tij, Përparim Durmishin, gjë që më pas përfundoi në gjykatë.

Ai ishte akuzuar se vazhdimisht mbante armë në objektet e shkollës.

Në vitin 2014 sa ishte drejtori i shkollës “Afrim Fahriu”, kishte kanosur dy vëllezërit me armë në ambientin e kësaj shkolle, e me këtë rast kishte pranuar fajësinë për përdorim të armës si mjet kërcënues në seancën fillestare e cila ishte në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

“Shprehi keqardhje për atë që ka ndodhë , ka ndodhur pa dashje për çka jam frikësuar. Pa qëllim më është dashur që të nxjerri armën. Kërkoj falje dhe premtoj se kurrë nuk në të ardhmen nuk do të ndodhë që të bie ndesh me ligjin”, kishte thënë drejtori në gjykatë.

Në vitin 2014, Sheqir Krasniqi njihet si militant i LDK-së dhe ish kryetarit të Podujevës, Agim Veliu. /Demokracia.com/

 

 

Të ngjashme