Lajme
I ashpër kundër grevës së mësimdhënësve, enveristi Hysamedin Feraj ishte përjashtuar nga Universiteti i Tiranës
Demokracia
18:25 | 13 Shtator 2022

Share:

Duket se kuadrot e Lëvizjes Vetëvendosjes vazhdimisht kanë pasur probleme me shkollat.

Pas publikimit të dëftesës me nota të dobëta të deputetit Dimal Basha, një tjetër kuadër i partisë del se ka pasur probleme me universitetin ku ka punuar, shkruan Demokracia.com.

Hysamedin Feraj, kuadri nga Shqipëria, ishte përjashtuar nga Universiteti i Tiranës për mos shkuarje në punë.

Ai në vitin 2014 ishte përjashtuar pasi që kishte munguar tetë ditë në auditoriumet e Fakultetit të Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës.

Dekani i asaj kohe i këtij fakulteti, Theodhori Karaj, nëpërmjet një letre kishte sqaruar arsyet e largimit të Feraj nga universiteti.

“E vërteta është se zoti Feraj, në kohën që ka qenë përgjegjës i Departamentit të Shkencave Politike, ka ikur 8 ditë jashtë shtetit pa leje të miratuar sipas praktikës së vendosur në institucion, duke kryer në këtë mënyrë shkelje të rënda dhe të përsëritura të disiplinës në punë.”, thuhej në letrën e asaj kohe të dekanit.

Madje, dekani e akuzonte se ai kishte falsifikuar edhe listën e prezencës, duke u nënshkruar kinse ka qenë në punë.

“Shkelja bëhet më e rëndë, po të kihet parasysh se, bazuar në aktet rregullative të Universitetit të Tiranës, përgjegjësi i departamentit monitoron, krahas të tjerave, edhe disiplinën në punë të punonjësve të departamentit dhe, mbi këtë bazë, harton dhe firmos fillimisht listëprezencën në punë. Zoti Feraj ka nënshkruar listëprezencat në punë si ish-autoritet drejtues i Departamentit të Shkencave Politike dhe se ai me vullnet ka paraqitur në dokumentacionin zyrtar fakte të pavërteta për prezencën e tij në institucion për 8 ditë, kur kjo gjë nuk është e vërtetë, sepse ai ka qenë pa leje jashtë shtetit, duke mashtruar në këtë mënyrë edhe strukturat drejtuese dhe financiare të institucionit. E thënë shkurt, Z.Feraj, përveçse ka munguar tetë ditë në punë, ai ka firmosur listëprezencën për veten e vet sikur ka qenë në punë, duke qenë jashtë shtetit. Kjo është penalizuar, sapo është konstatuar në bazë të legjislacionit në fuqi”, arsyetonte dekani Karaj.

Pas përjashtimit, Feraj kishte akuzuar drejtuesit e universitetit dhe kishte thënë se ka marrë leje gojore nga dekani Karaj.

“Pretendimi i z.Feraj se ka marrë leje gojore nga dekani është i pavërtetë. Dua të theksoj se universiteti është institucion dhe, si çdo institucion, funksionon në bazë të rregullave. Që prej dy vitesh në Fakultetin e Shkencave Sociale është vendosur dhënia e lejeve me shkrim. Këtë praktikë kanë zbatuar të gjitha departamentet dhe, po ashtu, e ka zbatuar me rigorozitet edhe z.Feraj si përgjegjës i departamentit. Në mënyrë të vazhdueshme, në kohën që ka qenë përgjegjës departamenti ai, bazuar në kërkesat individuale, ka propozuar me shkrim dhe dekani ka miratuar po me shkrim leje për pedagogët e Departamentit të Shkencave Politike. Vetë zoti Feraj ka kërkuar leje me shkrim dhe dekani i ka miratuar leje me shkrim për disa ditë edhe gjatë vitit, kur ai ka ikur pa leje me shkrim nga puna. Për këtë ka prova shkresore, të cilat rrëzojnë pretendimin e tij se ka marrë leje gojore”, kishte thënë dekani.

Feraj largimin e tij ishte munduar ta paraqiste si hakmarrje nga drejtuesit e universitetit.

Sipas Ferajt, ai u largua për shkak të disa artikujve kritikë ndaj eprorëve të tij, rektorit Dhori Kule dhe dekanit Theodhori Karaj.

Por, Feraj duket se e ka harruar arsyen e largimit nga Universiteti i Tiranës, pasi që ditëve të fundit ai është treguar shumë i ashpër me mësimdhënësit kosovarë të cilët ka 20 ditë që kanë hyrë në grevë me kërkesën që t’u ndahen nga 100 euro deri në miratimin e Ligjit të Pagave.

Feraj ka akuzuar kryetarin e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Kulturës, Rrahman Jasharajn, si njeri të PDK-së.

“U bashkuan ata që dihej që ishin bashkë: Rrahman Jashari dhe PDK. Që në fillim dihej se qëllimi i tij nuk ishte sindikal, por partiak. PDK dhe Jashari e quajnë qeverisjen Kurti përgjithësisht diktaturë. Grenelli i Vuçiqit e pat quajtur specifikisht fashiste.”, ka shkruar ai.

Feraj akuzoi kryesindikalistin si njeri të opozitës dhe u bënte thirrje sindikalistëve të ruajnë sindikalizmin.

“Disa që ju bashkuan nuk e dinin, disa nuk donin ta dinin identifikimin e tij: specifikisht me PDK-në, përgjithësisht me opozitën (jashtë e brenda Kosovës). Dalja hapur është veprim emancipues dhe ndriçues i Rrahman Jasharit. Tani është detyrë e sindikalistëve ta ruajnë pavarësinë e sindikalizmit”, ka shkruar Feraj.

Nuk dihet nëse Feraj është kthyer në punë që nga ajo kohë. /Demokracia.com/

Të ngjashme